Maqedoni
Ligji për gjuhët nuk ka arritur në “Gazetën Zyrtare”, Kostovski: do të veprojmë në pajtim me Kushtetutën
07.05.2018 14:29
Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Gazeta Zyrtare”, Martin Kostovski, tha se Ligji për gjuhët akoma nuk ka arritur në “Gazetën Zyrtare”...

I pyetur për procedurat e shpalljes së ligjit në gazetë pa dekretin nga ana e presidentit, drejtori Kostovski tha se për këtë çështje do të ketë sqarime shtesë në momentin kur ligji do të arrijë në gazetë.
Sipas tij, “Gazeta Zyrtare” është institucion kompetent i cili punon dhe vepron në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
“Në Gazetën Zyrtare ende nuk ka arritur Ligji për përdorimin e gjuhëve. Sa i përket shpalljes së ligjit në “Gazetën Zyrtare”, ajo si institucion kompetent do të veprojë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet. Kur ligji të arrijë në “Gazetën Zyrtare” do të informoheni më detajisht për procedurat e mëtejme. Si redaktor përgjegjës dhe drejtor i saj do të veproj në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”,- tha drejtori i NP “Gazeta Zyrtare”, Martin Kostovski.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, javën e shkuar tha se po shqyrtohet mundësia që Ligji për gjuhët të dërgohet për t’u shpallur në “Gazetën Zyrtare” edhe pa dekretin e presidentit, megjithatë nuk precizoi datën e saktë se kur mund të ndodhë kjo.
Në Kuvend, Ligji për gjuhët u miratua më 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, e cila këtë ligj e cilësoi si antikushtetues.
Presidenti Ivanov përdori veton për të dytën herë me radhë, për të mos e dekretuar Ligjin për gjuhët, që zyrtarizon gjuhën shqipe, duke e cilësuar atë si antikushtetues.
