Maqedoni

Akti më i lartë juridik – kushtetuta, në alfabetin Brail për personat me shikim të dëmtuar. Reformat në arsimin fillor, MASh: të përkushtuar për reforma rrënjësore

07.05.2018 15:26

Kushtetuta - akti më i lartë juridik, tani mund të lexohet edhe nga personat me shikim të dëmtuar...

Botimi special i Kushtetutës, i përpunuar sipas alfabetit Brail, u promovua si projekt i përbashkët i “Gazetës Zyrtare” dhe Shkollës së Mesme për persona me shikim të dëmtuar “Dimitar Vllahov”. 
 
“Një nga idetë dhe reformat që u paralajmëruan në MASh ishte se duam të përforcojmë arsimimin qytetar, që do të thotë njohje të të drejtave për të gjithë. Kjo gjë më bën të lumtur si profesoreshë e së drejtës kushtetuese, sepse iu jepet mundësi personave me shikim të dëmtuar më lehtë të përvetësojnë programet mësimore”,- deklaroi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska - Trenevska.
 
“Ndërmarrja publike “Gazeta Zyrtare” e Maqedonisë rolin e saj si ndërmjetësuese mes shtetit dhe qytetarëve sferën e legjislacionit tenton ta kryejë me shkallë të lartë të përgjegjësisë, me ç’rast çdo informatë tenton të jetë e saktë dhe  në të të kenë qasje të gjithë qytetarët”,- u shpreh drejtori i Ndërmarrjes Publike “Gazeta Zyrtare” e RM, Martin Kostovski.
 
“Çdo institucion në vend duhet ta praktikojë këtë që t’u mundësohet qasje të gjithë qytetarëve në leximin e dokumenteve, gjithsesi edhe personave me shikim të dëmtuar”,- tha drejtori i Shkollës së Mesme “Dimitar Vllahov”, Goranco Jakimov.
 
Ministrja Deskovska paralajmëroi edhe projektin për zvogëlimin e orëve mësimore për klasën e parë dhe të dytë të ciklit fillor. Programi mbetet gjithsesi i njëjtë.
 
Reformat për klasën e parë janë në debat publik dhe po merren mendimet e personave kompetentë. Si fillim kjo ide do të provohet vetëm si pilot projekt.
 
Deskovska premton se reformat do të vazhdojnë dhe që nga viti i ardhshëm shkollor do të bëhen ndryshime dhe në programet mësimore për klasën e dytë dhe të tretë.
 
FLUTURA LATIFI