Maqedoni

Çështja e emrit, takim Zaev – Cipras më 17 maj në Sofje

07.05.2018 15:38

Kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras...

Kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, planifikojnë më 17 maj në margjinat e samitit të Ballkanit perëndimor në Sofje të gjejnë zgjidhje definitive për çështjen e emrit, njofton portali grek “Njuz 247”.
 
Burime diplomatike njoftojnë se edhe përkundër vështirësive që ekzistojnë, është arritur përparim i dukshëm për pjesën më të madhe të temave. Dallimet mbeten në dy çështjet kryesore: ndryshimet kushtetuese dhe mënyra e përdorimit të emrit. Sipas portalit grek, Zaev dhe Cipras kanë kontakte telefonike edhe pse bisedat mbahen të fshehta.
 
Takimin me homologun e tij grek e konfirmon edhe vetë kryeministri Zaev. Ai thotë se “edhe pse me hapa të vegjël, po punojmë që të shkohet drejt zgjidhjes së kontestit”.
 
“Me kryeministrin e Greqisë, Aleksis Cipras, besoj se do të realizojmë takim në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Sofje. Është logjike që të kemi takim, posaçërisht nëse edhe gjatë takimit të radhës vazhdojmë edhe pse me hapa të vegjël drejt zgjidhjes së këtij problemi. Takimi i radhës është midis dy ministrave në fundjavë bashkë me ndërmjetësin. Shpresoj se do të shkohet në ndonjë hap para që të mund edhe ne, nëse jo të zgjidhim, atëherë të komentojmë çështjen në takimin që do të realizonim në Sofje”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Takimi midis dy ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Dimitrov – Kocijas, pritet të mbahet në Athinë. Atyre të shtunën do t’u bashkëngjitet ndërmjetësi, Metju Nimic. Ky i fundit pritet të shtojë presionin për gjetjen e zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar Maqedoni – Greqi.
 
MERAL ISMAILI