Botë

Rusi, Putin bën betimin: Rusia u ngrit nga hiri i saj

07.05.2018 16:13

Mes shkëlqimit të artë të Kremlinit e një salle gjigante të mbushur plot, Vladimir Putin bëri betimin për mandatin e katërt si president i Rusisë...

Njeriu që e ka shijuar pushtetin prej 18 vitesh, qoftë si kryetar shteti, qoftë si kryeministër, e çimentoi vendin e tij në krye të Rusisë edhe për 6 vite të tjera, pas zgjedhjeve të marsit. Pushtetin e tij, kundërshtarët e kanë krahasuar me sundimin e një cari apo një perandori.
 
Vetëm dy ditë më parë, forcat speciale të policisë përlesheshin me protestuesit, që zbritën në rrugët e Moskës e qyteteve të tjera të Rusisë për të ngritur zërin kundër sundimit të tij. Më shumë se 1.000 arrestime u kryen në 19 qytete, por Putini u shfaq këtë të hënë i qetë.
 
“Rusia u ngrit nga hiri i saj”,- tha kreu i porsakonfirmuar i shtetit në fjalimin e betimit, ku u zotua t’u shërbejë njerëzve e të përmirësojë jetën e tyre, duke mbrojtur njëkohësisht ato që i quajti fitore të mëdha të vendit dhe akte heroike. Mesazhi i përsëritur në fjalim ishte thirrja për një ndryshim të madh, që t’i japë një shtysë ekonomisë dhe të rrisë standardin e jetesës. 
 
Në përfundim të mandatit të tij, në 2024, Putin do të bëjë afro një çerek shekulli në pushtet. Më shumë se ai kanë qenë në funksion vetëm diktatori sovjetik, Joseph Stalin, me 31 vite në pushtet, si dhe carët rusë, Nikolasi i Parë me 30 vjet dhe Alexandri i Dytë me 26 vjet.