Integrimi në BE, Bekteshi: Të punojmë në tregun e lirë rajonal

07.05.2018 16:24

Maqedonia ka shënuar progres të madh në përmirësimin e kushteve themelore...

Maqedonia ka shënuar progres të madh në përmirësimin e kushteve themelore për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe këtë vit ekziston mundësia reale që vendi ynë të marrë edhe datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të plotë në familjen e madhe europiane.

Ky ishte konstatimi i panelistëve, ministrave, ambasadorëve dhe profesorëve universitarë, pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë se vendet e rajonit tashmë po punojnë në përmirësimin edhe të klimës ekonomike.

Integrimi ynë  në BE nënkupton  edhe largimin e  barrierave të ndryshme të cilat i kanë pasur në të kaluarën investitorët e huaj. Shtetet e rajonit tanimë kanë filluar të punojnë për tregun e lirë dhe të konkurrojnë me prodhimet e veta në tregun europian”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

PËRFAQËSUESIT NDËRKOMBËTARË: TË GATSHËM TË NDAJMË PËRVOJAT ME MAQEDONINË

Kryesimi i Bullgarisë me Këshillin e BE-së, është një avantazh i madh që Maqedonia duhet ta shfrytëzojë në mënyrë që bashkërisht të tejkalohen sfidat që e presin vendin tonë në rrugëtimin euroatlantik. Edhe ambasadorët e tjerë konfirmojnë ndihmën në këtë drejtim.

“Kemi punuar për t’i inkurajuar vendet e Ballkanit për një integrim sa më të shpejtë në BE dhe tanimë gëzon fakti se Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrë raport pozitiv dhe vetëm presim marrjen e datës për fillimin e negociatave”,- theksoi zëvendësambasadorja e Bullgarisë, Daniella Budinova.

“Ne nuk jemi pjesë e NATO-s, por jemi shtet i plotfuqishëm në Unionin Europian dhe kuptohet se përvoja jonë do të jetë shumë e mirëpritur nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët do të bashkëpunojnë me ne shumë afër, gjatë presidencës së Austrisë me BE-në”,- u shpreh ambasadorja e Austrisë në Maqedoni, Renate Kobler.

Edhe  profesorët e  çështjeve europiane nga vendi dhe Europa, pjesëmarrës në konferencë, inkurajuan Maqedoninë që të vazhdojë rrugën e nisur, duke potencuar përpjekjet për tejkalimit të çështjes së emrit me Greqinë, me qëllim që të mos ketë pengesë në rrugën euroatlantike. (Fitim Kryeziu, TVM2)