Maqedoni
Rikonstruimi i qeverisë, Deskovska: kini durim, tri herë më keni ndërruar
07.05.2018 16:39
Ministrja e Arsimit, Renata Deskovska, iu përgjigj sot interesimit të gazetarëve për rikontruimin e qeverisë...

Ministrja e Arsimit, Renata Deskovska, iu përgjigj sot interesimit të gazetarëve për rikontruimin e qeverisë, ku emri i saj përmendet në opinion si një ndër postet që mund të përfshihet në rokadën ministrore.
Ajo u kërkoi gazetarëve dhe opinionit të jenë të duruar e të presin më së shumti dy javë, ku vetë kryeministri do të bëjë të ditur marrëveshjen eventuale me partnerët e rinj të koalicionit, nëse një marrëveshje e tillë arrihet.
Por, Deskovska thotë se përmendja kaq e shpeshtë e këtyre ndryshimeve pa pasur asnjë informacion konkret se çfarë po diskutohet në të vërtetë, po e vështirëson funksionimin e saj në krye të MASh-it.
“Deri më tani jam rikonstruuar tre herë. Të presim! Së shpejti do të jenë të njohura vendimet për të cilat do të ketë marrëveshje paraprake. Ndryshe, përfolja e emrit tim gjithmonë kur flitet për rikonstruimin, po ma vështirëson punën në Ministrinë e Arsimit, sepse gjithmonë ka grupe njerëzish të cilët duan të punojnë komod dhe janë në pritje të ndryshimeve të shpejta. Të presim për një javë apo dy. Sigurisht që deri atëherë gjithçka do të dihet”,- tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskovska.
