Maqedoni
Guvernatori i ri i BP-së, Zaev: Bogov kundërshtohet nga shumica parlamentare
07.05.2018 16:55
Kryeministri Zaev u takua me presidentin Ivanov në presidencë, për të diskutuar rreth emërimit të guvernatorit të ri të Bankës Popullore...

Ivanov informoi kryeministrin se ka pasur takime me më shumë kandidatë potencialë për pozitën e guvernatorit, por në fund është përcaktuar për kandidaturën e kreut aktual të BP-së, Dimitar Bogov, për të cilin Ivanov nuk ka asnjë vërejtje.
Qeveria deri tani ka qenë kategorikisht kundër që Bogov të vazhdojë të mbajë karrigen e parë të Bankës Popullore. Kryeministri Zaev thotë se nuk dyshon se Bogov ka kapacitete t’i ndihmojë shtetit, por shumica parlamentare është kundër rikandidimit të tij.
“Me Ivanovin u takuam me kërkesën time. Guvernatorin aktual e respektoj, por shumica parlamentare ka vërejtje ndaj punës së tij. Unë ia përcolla presidentit këto vërejtje. Në këtë pjesë, këmbyem disa ide dhe nevoja por bashkërisht konstatuam se Maqedonia ka nevojë për një guvernator që do të zgjidhet në pajtim me afatet ligjore. Kjo është mirë për imazhin e shtetit. Shpresoj që takimet e këshilltarëve tanë ose edhe takimet e drejtpërdrejta mes meje dhe presidentit të vazhdojnë e të gjejmë zgjidhje deri më 20 maj për të zgjedhur guvernatorin e ri të Bankës Popullore”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Për këtë post, edhe partitë shqiptare kanë kandidaturat e tyre. BDI kandidon Fatmir Besimi, ndërsa Aleanca për Shqiptarët ka dalë me emrin e Gazmend Kadriut.
Sipas nenit 49 të Ligjit për Bankën Popullore, guvernatori emërohet nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me propozim të presidentit, me votat e të paktën 61 deputetëve, për një mandat 7 vjeçar.
Nëse nuk arrihet marrëveshje për guvernatorin e ri, pas skadimit të mandatit të guvernatorit aktual, më 21 maj, Bankën Popullore pritet ta udhëheq Këshilli i saj.
ZEKIRIJA MEXHITI
