Maqedoni

Lufta kundër HIV-it, Filipçe: bashkëpunim serioz me sektorin civil

07.05.2018 18:09

Ministrat e Shëndetësisë së Europës Juglindore janë mbledhur në Shkup për të diskutuar rreth strategjive kombëtare për HIV për periudhën 2017-2021...

Ministrat e Shëndetësisë së Europës Juglindore janë mbledhur në Shkup për të diskutuar rreth strategjive kombëtare për HIV për periudhën 2017-2021 dhe strategjinë e re për tuberkulozin për vitin 2018-2022.
 
Maqedonia nga ky vit nuk do të marrë para nga Fondi Global për programet parandaluese. Qeveria për parandalimin e  virusit HIV nga buxheti i shtetit ka ndarë 90 milionë denarë.
 
Gjithashtu, në bashkëpunim me 15 organizata civile, do të bëhet blerja e terapisë së nevojshme për programet parandaluese kundër HIV-it dhe tuberkulozit. Maqedonia është në grupin e vendeve të cilat po arrijnë të mbajnë nën kontroll numrin e të sëmurëve nga SIDA.
 
“Organizatat qytetare janë partnerë seriozë në implementimin e programeve, për të cilat kanë përvojë dhe njohuri dhe kuptohet i dinë më mirë informacionet për atë se çfarë është e nevojshme për përdoruesit. Vitin e ardhshëm  do të punojmë edhe më shumë për gjetjen e mjeteve të tjera në implementimin e këtyre programeve parandaluese, sepse mendojmë se është e një rëndësie të veçantë që ta mbajmë në nivel të ulët prevalencën e HIV-it për më shumë grupe të rrezikuara”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
“Ne si Fond Global pranojmë se tranzicioni me të vërtetë sjell sfida dhe ne duhet të fokusojmë resurset tona në vendet tek të cilat janë më të fuqishme  këto sëmundje, por kjo nuk do të thotë se është e lehtë për vendet prej të cilave kërkojmë që ta bëjnë këtë”,- theksoi drejtori gjeneral i Fondit Global, Piter Sends.
 
Në takim morën pjesë ministrat e Shëndetësisë nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Hungaria, Moldavia dhe Rumania.
 
FARIJE DAUTI-BAKIU