Trump njofton sot, për vendimin e tij rreth paktin bërthamor me Iranin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të njoftojë sot nëse Uashingtoni do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Përmes një postimi në Twitter, presidenti amerikan të hënën ka njoftuar se do ta bëjë publik vendimin e tij lidhur me këtë çështje, të martën në orën 14, sipas kohës lokale në Uashington.
Presidenti amerikan është kritikues i marrëveshjes së arritur më vitin 2015 në mes të Iranit dhe fuqive botërore, e cila i mundëson Teheranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.
Trump kishte kërkuar që fuqitë evropiane, nënshkruese të kësaj marrëveshje, të përmirësojnë ato që ai i cilëson “të meta të tmerrshme” të paktit.
Ai ka thënë se Irani ka shkelur “shpirtin e marrëveshjes”.
Ndërkaq, presidenti iranian, Hassan Rohani, më herët ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se “do të pendohen” nëse tërhiqen nga pakti bërthamor.
