Maqedoni

Aleanca për Shqiptarët: revizion për punën e komunës së Tetovës

08.05.2018 16:00

Aleanca për Shqiptarët ka lëshuar një sërë akuzash kundër komunës së Tetovës, e cila, sipas tyre, nuk ka mbajtur asnjë premtim dhënë tetovarëve...

Tetova nuk e ka ende transportin e premtuar publik, as shkollat në Reçicë të vogël dhe në fshatin Sellcë.
 
Dega e ASh-së në Tetovë kërkon që revizioni shtetëror të kontrollojë punën e komunës, që nga viti 2015 deri në vitin e kaluar. 
 
“Aleanca për Shqiptarët në mënyrë institucionale, duke u bazuar në nenin 18 dhe 19, i nxjerr nga Ligji për revizion më datë 07.05.2018, iu drejtuam me një kërkesë Agjencisë shtetërorë për revizion, që të bëjë kontrollin financiar në komunën e Tetovës për vitet 2015-2016-2017 në menaxhimin e mjeteve financiare, ku ne dyshojmë se kemi keqpërdorim dhe keqmenaxhim të mjeteve buxhetore të taksapaguesve tetovarë”,- deklaroi kryetari i degës së ASh-së në Tetovë, Altrim Mamuti.
 
Nga ASh thonë se kryetarja e Tetovës në dy mandate radhazi u ka premtuar tetovarëve edhe rregullimin e deponisë, shtretërve të lumenjve, furnizimin pa probleme me ujë për pije dhe rregullimin e  kaosit në komunikacion, por ka dështuar në të gjitha premtimet e dhëna.
 
VISAR SADIKI