Maqedoni
Shënohet 8 maji, Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Posta e Maqedonisë, pullë postare me moton “buzëqeshje”
08.05.2018 16:19
“Buzëqeshje për gjithkënd, gjithkund”, është motoja e shënimit të 8 majit, Ditës së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe...

“Buzëqeshje për gjithkënd, gjithkund”, është motoja e shënimit të 8 majit, Ditës së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, e cila po shënohet në 192 vende, përfshirë edhe Maqedoninë.
Me këtë rast, në sheshin e kryeqendrës u organizua paraolimpiada për personat me nevoja të veçanta.
Njëherit u bë e ditur se Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe numërojnë 14 milion vullnetarë në botë, përfshirë edhe 7 mijë vullnetarë në Maqedoni, punojnë për t’u ofruar ndihmë personave që kanë nevojë.
“Çdo ditë jemi dëshmitarë të guximit të kolegëve tanë të cilët shpeshherë i vënë në rrezik jetët e tyre për t’u ndihmuar njerëzve të cilët kanë nevojë për ndihmë. Vullnetarët janë gjithkund në botë në shërbim të gjithkujt, duke plotësuar nevojat humanitare për kategoritë më të ndjeshme”,- tha kryetari i Kryqit të Kuq, Romell Velev.
“Organizata e Kryqit të Kuq, si organizata më e madhe humanitare në botë, përcjell porosinë se të gjithë së bashku, dimensionin human që e mbartim në vete, mund ta kontribuojmë për një vend më të mirë për jetesë për të gjithë njerëzit në botë, pa marrë parasysh se cilëve shfrytëzues u dedikohen aktivitetet tona”,- tha Suzana Toneva Borovska nga Kryqi i Kuq – Shkup.
Edhe individët edhe institucionet duhet të jenë të gatshëm të dëshmojnë solidaritetitn e tyre, deklaroi drejtori i Postave të Maqedonisë, Faadis Rexhepi.
“Secili prej nesh si individ dhe institucion duhet të jetë i përkushtuar para sfidave të cilat kërkojnë solidaritet dhe humanitet ndaj atyre që më së shumti ndjejnë nevojë”,- u shpreh drejtori i Postave të Maqedonisë, Faadis Rexhepi.
Njëherit, Posta e Maqedonisë lëshoi në qarkullim një pullë postare me moton e këtij përvjetori. Pulla postare ka një vlerë prej nëntë denarë dhe është e botuar në 50 mijë ekzemplarë.
Mjetet financiare nga shitja e pullave postare në mbi 320 njësi postare, do t’i dedikohen Kryqit të Kuq të Maqedonisë.
GYLTENE SINANI
