Maqedoni

Mançevski: Ligjin e mediave ta miratojmë me debat të argumentuar

08.05.2018 16:36

Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski, pret që Ligji për media të miratohet së shpejti nëpërmjet një debati të argumentuar dhe të kuptimtë...

Mançesvki thotë se qeveria nuk i shmanget debatit, ndërkaq pret konstruktivitet nga opozita dhe përfshirjen e opinionit për reformat e nevojshme në sektorin e medias.
 
“Mua më vjen mirë që ligji ka hyrë në procedurë dhe flasim për amendamente. Ne asnjëherë nuk i kemi ikur debatit dhe me të vërtetë duam që të bisedojmë me argumente për amendamentet e propozuara nga opozita. Unë shpresoj se do të kemi një debat të argumentuar dhe të kuptimtë, që në kohën e duhur të arrijmë të miratojmë ligjin i cili përfundimisht do të sjellë reformat e nevojshme në media. Aty ku është vendi, në kuvend, në prezencën e opinionit, të bisedojmë për argumentet tona për dhe kundër”,- tha ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski.
 
Mançevski komentoi edhe angazhimin e administratorëve të punësuar me marrëveshjen kornizë. Sipas tij, nënshkrimi i marrëveshjeve me 958 administratorët po realizohet dhe së shpejti pret shpërndarjen edhe të pjesës së mbetur.
 
Komentet e tilla ministri Mançevski i ka bërë në debatin me organizatat qytetare në përpilimin e planit aksional për dy vitet e ardhshme për partneritet midis qytetarëve dhe institucioneve.
 
Mançesvki paralajmëroi hapjen në muajin gusht të një portali për informacione të hapura të institucioneve.
 
Transparenca e qeverisë është përshëndetur nga Ambasadat e ShBA-së dhe BE-së, të cilët konsiderojnë se qasja drejt BE-së nënkupton edhe angazhimin e qytetarëve për një erë të re në Maqedoni.
 
MERAL ISMAILI