Ekonomi
Plani për rritje ekonomike, 645 milion denarë për mbështetje kompanive vendore. Kompanitë shprehin interesim, mjetet e para në korrik
08.05.2018 17:14
Më shumë se 100 kompani deri më tani kanë marrë projekt aplikacione për fonde nga shtylla e tretë e planit për rritje ekonomike nga ana e Qeverisë...

Kështu sot njoftoi drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski, në sesionin informues në Odën Ekonomike, sipas të cilit deri në fund të thirrjes publike shifra prej 100 kompanive pritet të dyfishohet, ndërsa në fillim të muajit korrikut do të nënshkruhen edhe marrëveshjet e para.
“Interesi është i madh. Presim që deri në fund të thirrjes të kemi 150-200 kompani të paraqitura, gjë që tregon se ekonomia dhe kompanitë vendase kanë nevojë për këtë lloj mbështetjeje. Gjithashtu, pres që deri në fund të vitit t’i ndajmë të gjitha fondet”,- tha drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski.
Sipas Despotovskit, transparenca do të jetë maksimale në përzgjedhjen e kompanive të do t’i shfrytëzojnë këto mjete. Kurse edhe nga Oda Ekonomike, tek të cilët u mbajt sesioni informues rreth thirrjes publike, vlerësojnë se interesi nga ana e kompanive për mbështetjen qeveritare është i kënaqshëm.
“Presim që kompanitë të pyesin për gjërat më specifike në mënyrë që të detektojmë problemet me të cilat përballen gjatë përmbushjes së projekt aplikacioneve. Interesim ka më shumë për masat, e veçanërisht për mbështetjen për rritje të shpejtë, për aftësim profesional të kuadrit, si dhe për krijimin e produkteve dhe shërbimeve shtesë që do të jenë konkurruese në tregjet e brendshme dhe të jashtme”,- tha Biljana Peeva Gjuriq nga Oda Ekonomike.
Thirrja publike e projektuar në 645 milion denarë ishte shpallur më 27 prill, ndërsa do të zgjasë deri më 11 qershor.
ZEKIRJA MEXHITI
