Vincenzo Nibali shumë pranë fitores në “Tour de France”
29 vjeçari, 54 kilometrat i kaloi si i pari, me kohë prej 1 orë, gjashtë minuta e 21 sekonda dhe me përpasi prej 1 minutë e 39 sekonda ndaj të dytit, Tom Dumoulin nga Hollanda.......

Gjermani Tony Martin është fituesi i etapës së 20-të, të parafundit në “Tour de France”. Ngasësi i ekipit Omega, fitoren e dytë etapore në Tour`in e 101-të, e korri në kronometrin e sotëm, që zgjati 54 kilometra, nga Bergerac deri në Perigueux.
29 vjeçari, 54 kilometrat i kaloi si i pari, me kohë prej 1 orë, gjashtë minuta e 21 sekonda dhe me përpasi prej 1 minutë e 39 sekonda ndaj të dytit, Tom Dumoulin nga Hollanda.
Në piadestal, në garën e sotme u ngjit edhe çeku Jan Barta, nga skuadra Netapp-Endura, ndërsa pas kronometrit të sotëm, ai që fitoi më së shumti, ishte lideri në plasmanin e përgjithshëm, Vincenzo Nibali. Italiani i ekipit Astana, kishte kohë të katërt më të mirë, me ngecje prej 1 minutë e 58 sekonda ndaj fituesit, por me këtë rezultat, rriti edhe më shumë epërsinë ndaj kundërshtarëve francez, Peraud dhe Pinot, në vigjile të garës së fundit, që nesër do të mbahet nëpër rrugët e Parizit dhe do të zgjatë 137.5 kilometra.
Nibali, tani ka 7 minuta e 52 sekonda kohë të përbashkët më të mirë se Peraud dhe 8 minuta e 24 sekonda kohë më të mirë se francezi tjetër, Thibaut Pinot, me ç`rast italiani do të duhet vetëm të pret të përfundoj garën e nesërme dhe të arrij suksesin më të madh në karierë, triumfin në edicionin e 101-të të “Tour de France”. (Mustafa Ademi, TVM2)
