Maqedoni

Mickoski: toka shtetërore përfundoi në duart e Vice Zaevit. LSDM: Mickovski ka hyrë në filmin e Gruevskit

08.05.2018 17:32

Prokuroria Publike duhet të hulumtojë rastin kur kryeministri, atëherë kryetar i komunës së Strumicës, Zoran Zaev...

Prokuroria Publike duhet të hulumtojë rastin kur kryeministri, atëherë kryetar i komunës së Strumicës, Zoran Zaev, duke e shfrytëzuar funksionin e tij, ka shitur tokë shtetërore, e cila pas disa procedurave ka mbaruar në duart e vëllait të tij, Vice Zaev, kompania e të cilit sot atje ndërton ndërtesa me qëllim të pasurimit  personal.
 
Në këtë rast kemi të bëjmë me konflikt klasik të interesave, vlerëson kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Sipas tij, më 29.12.2014, është mbajtur ofertë publike për shitje të tokës ndërtimore në Strumicë, ndërkaq në ankand është paraqitur vetëm një person për të dhënë ofertë, Sashko Brndevski, nga Strumica, partner biznesi në njërën nga kompanitë e vëllait të kryeministrit Zoran Zaev, Vice.
 
Në ankand është arritur çmimi prej 2.300 denarë për metër katror, ndërkaq parcela me qëllim të ndërtimit të objektit për banim kolektiv gjithsej ka qenë e madhe me hapësirë prej 18.462 metra katrorë.                                                                                                             
“Komuna e Strumicës ka miratuar të shitet lokacioni për t’u ndërtuar tetë ndërtesa shtatëkatëshe, me hapësirë bruto të ndërtimit prej 52.850 metra katrorë. Në shkurt të vitit 2016, Zoran Zaev, Sasho Brndevskit i ka dhënë miratim për ndërtim të ndërtesës banuese numër 8. Në të njëjtin muaj të vitit 2016, Brndevski ka nënshkruar marrëveshje për transferim të të drejtave për ndërtim të parcelës me personat juridikë të “TOTAL INZHINERING”, e cila është në pronësi të Vice Zaev dhe Sh. A. “Pellagonija” nga Strumica në të cilin në bordin drejtues në atë kohë ka qenë kushëriri i Zaevit, Trajçe Zaev”,- tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.                                                           
 
Sipas tij, si kompensim për atë që u ka dhënë të drejtën për ndërtim, personi, Sashko Brndevski, ka fituar banesë prej 40 metra katrorë.
                                                                      
“Kjo hap dyshim se partneri i biznesit të Zaevit është vetëm paravani, ndërkaq më pas qartë shihet se ndërtesat ndërtohen mu nga kompania e vëllait të kryeministrit, Zoran Zaev, Vice. Në muajin mars të vitit 2016, Zaev sjell vendim për ndryshim të investitorit ku në vend të Sashko Brdnevskit, investitorë të rinj janë dy ndërmarrjet e theksuara. Ky është rasti ku Zoran Zaev ka shitur tokë në të cilën sot atje ndërton vëllai, Vice Zaev. Atje po ndërtohen banesa, ndërkaq përfitimet personale janë të mëdha me vlera milionëshe”,- u shpreh lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.                                              
Ndërkohë, në reagimin e LSDM-së thuhet se Hristijan Mickovski është aktor i dobët që ka hyrë në filmin e paraardhësit të tij, Nikolla Gruevskit. 
 
“Në vitin 2014, periudhë për të cilën akuzon Mickovskin, VMRO-DPMNE ka pasur kontroll total të institucioneve dhe nëse ekzistonte edhe dyshimi më i vogël për krim nga ana e Zaevit dhe familjes së tij, rasti do procesuohej. Opinioni e mban mend se në këtë periudhë janë bërë qindra kontrolle sa i përket punës së komunës së Stumicës, të gjitha institucionet dhe inspeksionet bukfalisht me muaj jetonin në Strumicë dhe nuk patën sukses të gjejnë asgjë të paligjshme. Andaj është joserioze që Mickovski pas katër viteve të tentojë të jetësojë afera të rrejshme të shpikura nga VMRO. Kjo është edhe një konferencë e dështuar e VMRO-DPMNE-së”,- thuhet në reagimin e LSDM-së.
 
FLUTURA LATIFI