Aleanca për Shqiptarët: Revizion për punën e komunës së Tetovës

08.05.2018 17:57

Aleanca për Shqiptarët ka lëshuar një sërë akuzash kundër komunës së Tetovës....

Aleanca për Shqiptarët ka lëshuar një sërë akuzash kundër komunës së Tetovës, e cila, sipas tyre, nuk ka mbajtur asnjë premtim dhënë tetovarëve. Tetova nuk e ka ende transportin e premtuar publik, as shkollat në Reçicë të vogël dhe në fshatin  Sellcë. Dega e ASh-së në Tetovë kërkon që revizioni shtetëror të kontrollojë punën e komunës, që nga viti 2015 deri në vitin e kaluar.

“Aleanca për Shqiptarët në mënyrë institucionale, duke u bazuar në nenin 18 dhe 19, i nxjerr nga Ligji për revizion më datë 07.05.2018, iu drejtuam me një kërkesë Agjencisë shtetërorë për revizion, që të bëjë kontrollin financiar në komunën e Tetovës për vitet 2015-2016-2017 në menaxhimin e mjeteve financiare, ku ne dyshojmë se kemi keqpërdorim dhe keqmenaxhim të mjeteve buxhetore të taksapaguesve tetovarë”,- deklaroi kryetari i degës së ASh-së në Tetovë, Altrim Mamuti.

Nga ASh thonë se kryetarja e Tetovës në dy mandate radhazi u ka premtuar tetovarëve edhe rregullimin e deponisë, shtretërve të lumenjve, furnizimin pa probleme me ujë për pije dhe rregullimin e  kaosit në komunikacion, por ka dështuar në të gjitha premtimet e dhëna.

Lidhur me akuzat e Aleancës për Shqiptarët ka reaguar komuna e Tetovës, e cila i cilëson akuzat si të pavërteta. Zëdhënësi i komunës, Armend Fazliu, mes tjerash ka theksuar se komuna e Tetovës ka ndërtuar 8.2 km rrjet të ujësjellësit dhe Qendrën më moderne të stacionit të filtrimit. (Visar Sadiki, TVM2)