Rriten çmimet e naftës, mbi 70 dollarë për fuçi në tregun e Nju Jorkut

08.05.2018 20:08

Çmimet e naftës kanë arritur nivelet më të larta që prej nëntorit të vitit 2014....

Çmimet e naftës kanë arritur nivelet më të larta që prej nëntorit të vitit 2014, përderisa investitorët janë në pritje të vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se a do të tërhiqet apo jo nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Frika se ShBA mund të rivendosë sanksione ndaj Iranit, kanë bërë që çmimi bruto për një fuçi naftë të papërpunuar të jetë mbi 70 dollarë në tregun e Nju Jorkut, që është çmimi më i lartë që prej vitit 2014.

Ndërkaq, në Londër, çmimi për një fuçi naftë ka arritur deri në 76.17 dollarë. “Çmimi i naftës është rritur pas shqetësimeve se Trump mund të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, që do të çonte në përkeqësimin e mëtejmë të situatës në Lindjen e Mesme. Po ashtu do të ndikonte në furnizimin me naftë nga prodhuesit iranian”,- tha Greg McKenna, hulumtues i tregut në AxiTrader.

Ndërkohë, Bashkimi Europian vlerëson se marrëveshja bërthamore me Iranin është e dobishme dhe si e tillë nuk duhet të shfuqizohet.

“Ne mendojmë se marrëveshja bërthamore me Iranin është e dobishme dhe për këtë arsye vazhdojmë të shfaqim qëndrim të vendosur për mosshfuqizimin e saj”,- tha zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiç.

Edhe Rusia dhe Irani shprehën shqetësime serioze për vendimin që mund të marrë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në lidhje me të ardhmen e marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.