Maqedoni
Osmani, mëngjes me BE-në në Ditën e Europës
09.05.2018 11:33
Me rastin e 9 majit, Ditës së Europës, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani...

Me rastin e 9 majit, Ditës së Europës, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, në mëngjesin tradicional të BE-së para ambasadorëve të BE-së në Shkup nënvizoi se qeveria është e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha kritereve për të filluar negociatat për anëtarësim në NATO.
“Duhet të pranojmë se që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, ne duhet të vazhdojmë në rrugën e rritjes dhe angazhimit ndaj vlerave demokratike. Dhe ne jemi absolutisht të përkushtuar ndaj kësaj rruge. Duhet t’i bëjmë, t’i thellojmë reformat e nisura me qëllim që të ndërtojmë një demokraci funksionale. Dhe kjo Qeveri është e gatshme të përmbushë me sukses të gjitha sfidat dhe pengesat që qëndrojnë në këtë rrugë. Në më pak se një vit, ne arritëm ta çojmë vendin në rrugën e duhur dhe të pakthyeshme drejt integrimit euroatlantik. Kjo qeveri e reformës me guxim iu drejtua sfidave dhe arriti të transformojë shtetin "rob" në një institucion gjithëpërfshirës,transparent dhe europian. Ne arritëm të "shkrijmë" marrëdhëniet me partnerët dhe mbështetësit tanë strategjikë ndërkombëtarë, për të "çliruar" institucionet, administratën dhe gjithë shoqërinë tonë”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
