Sportet E Tjera

Krasniqi i fiton dy tituj, i afrohet titullit të botës

27.07.2014 16:59

Boksieri shqiptarë Haxhi Robin Krasniqi, ka mposhtur ukrainasin Oleksandr Cherviak pas 12 raundeve...

Boksieri  shqiptarë Haxhi Robin Krasniqi, ka mposhtur ukrainasin Oleksandr Cherviak pas 12 raundeve. Pas kësaj lufte të zhvilluar në  qytetin gjerman Dessau, kosovari Krasniqi, ka  mbrojtur titullin WBO të cilin e mbante, dhe ka arritur ta fitojë edhe atë në WBA Continental, që ishte vakant.

Ukrainasi Çerviak, synonte të dy këto tituj, derisa në ranglistë zinte pozitën e pestë në WBA, dhe të 15-ën në WBO. Krasniqi i ka fituar me vendim unanim të treshes së gjyqtarëve.

Në gjashtë raundet e para Krasniqi ka qenë bindshëm më i mirë. Në fakt, në gjysmën e parë të këtij meçi vetëm në raundin e katërt Krasniqi ka qenë në disavantazh, kur ka marrë një goditje të fortë me apërkat dhe një tjetër direkte.

Raundi i dhjetë ka qenë paksa në favor të ukrainasit, që e vuri kundërshtarin nga Juniku që lufton për Gjermaninë, nën ndikimin e lojës së tij. Në mënyrë mahnitëse është rikthyer Krasniqi, që me disa goditje radhazi në mes të ringut e ka shkundur ukrainasin.

Në raundin e 12-të Krasniqi ka hyrë pa shumë presion, duke arritur të mbajë rezultatin deri në fund të mecit e duke shpërthyer krejt në fund të tij.

Pas mbylljes së luftës në ringun e Anhalt Arena të Desaut të Gjermanisë, ka qenë Krasniqi ai që ngritur duart, bashkë me dy brezat. Ka ngritur edhe një flamur gjerman, dhe një tjetër kombinim mes atij të Kosovës dhe flamurit kombëtar shqiptar.

E pas këtij triumfi, Krasniqi tashmë do të hap rrugën e tij drejt titullit për kampion të botës.