Maqedoni
Jens Stoltenberg: Zgjidhja e kontestit hap dyert për në NATO
09.05.2018 12:12
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg, përshëndet të gjitha përpjekjet e deritanishme për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë....

Nëse arrihet që kontesti të zgjidhet, atëherë NATO do t’i bëjë ftesë Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë të bëhet anëtare e NATO-s, ka deklaruar Stoltenberg në intervistën për Agjencinë e lajmeve greke ANA-MPA.
“Para disa muajve vizitova Shkupin dhe pas vizitës atje, gjithashtu realizova edhe një bisedë me kryeministrin grek, Tsipras, andaj mbështes të gjitha përpjekjet e deritanishme në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për kontestin shumëvjeçar të emrit, i cili është një çështje shumë delikate dhe e ndjeshme. Nëse arrihet që të gjendet një zgjidhje për emrin mes dy palëve, atëherë Aleanca do ta ftojë Maqedoninë të bëhet anëtare e NATO-s”,- tha Stoltenberg.
Sa i përket zgjerimit të Aleancës, Stoltenberg tha që dyert e NATO-s mbeten të hapura për anëtare të reja, ashtu siç ndodhi vitin e kaluar me Malin e Zi, në këtë Samit do të shqyrtohen kandidaturat e Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Gruzisë.
