Osmani: I plotësojmë kushtet për çeljen e negociatave
Me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës, dhe organizimit të mëngjesit tradicional “Mëngjes me BE-në”....

Me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës, dhe organizimit të mëngjesit tradicional “Mëngjes me BE-në”, zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, theksoi se kjo qeveri reformuese me guxim të madh iu drejtua sfidave, realizoi një pjesë të rëndësishme të reformave urgjente, arriti të afrojë vendin para dyerve të BE-së dhe t’i përmirësojë marrëdhëniet ndëretnike dhe fqinjësore.
Osmani vlerëson se Maqedonia meriton të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, në të kundërtën ai thotë se mund të rritet skepticizmi i qytetarëve, të shkaktohet largim masovik i të rinjve dhe të ndahet popullsia në linja etnike dhe fetare.
“Maqedonia është i vetmi vend në rajon që plotësisht i zgjodhi të gjitha mosmarrëveshjet kufitare, është një shoqëri plotësisht demokratike, multietnike dhe multiprofesionale, është pjesa që mungon në mozaikun e BE-së, që mund të sjellë frymë të re në një frymë kohezive në BE dhe mund të shërbejë si një shembull pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Maqedonia është e gatshme të veprojë plotësisht në përputhje me qëndrimet e politikave të përbashkëta të sigurisë së jashtme dhe të jetë pjesë e strukturave të reja të mbrojtjes së BE-së. Po bën gjithçka që mundet për të përmirësuar marrëdhëniet e mira fqinjësore të saj në nivelin e standardeve dhe kërkesave të BE-së dhe është e përgatitur në aspektin politik dhe në aspektin e kapaciteteve institucionale, për të filluar negociatat e aderimit”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
ZHBOGAR: MAQEDONIA KA SHËNUAR PROGRES
Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, tha se vendi është kthyer në rrugën e suksesshme europiane, ndërsa theksoi rëndësinë për të mbajtur këtë ritëm të realizimit të reformave europiane.
“Vendi juaj ka shënuar progres, por vendimi për të marrë datën për fillimin e negociatave varet nga vendet anëtare të BE-së dhe nga vazhdimi i realizimit të implementimit të reformave dhe vlerave europiane”,- tha ambasadori i BE-së në Shkup, Samouel Zhbogar.
PETKOV: MAQEDONIA, GJASA TË MËDHA PËR DATËN E BISEDIMEVE
Përfaqësuesit e shteteve fqinje shpresojnë se Samiti i BE-së javën e ardhshme në Sofje do të mund të sjellë datën për fillimin e negociatave me BE-në.
“Dëshiroj të ndaj shpresën me ju se shanset janë të mëdha që gjatë kryesimit bullgar me Bashkimin Europian, Maqedonia mund të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në”,- theksoi ambasadori i Bullgarisë në Shkup, Ivan Petkov.
Në “Mëngjesin tradicional me BE-në”, njëherit u theksua se Maqedonia është pranë një hapi historik për të zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë dhe në këtë proces i gjithë aparati shtetëror maksimalisht është i përkushtuar për t’i dhënë fund kësaj çështjeje të hapur dydekadëshe. (Rexhep Qamili, TVM2)
