“Eko Guerilla”, kritika pushtetit lokal në Tetovë
Organizata joqeveritare “Eko Guerilla” ka lëshuar sot një sërë kritikash ndaj pushtetit lokal në Tetovë....

Organizata joqeveritare “Eko Guerilla” ka lëshuar sot një sërë kritikash ndaj pushtetit lokal në Tetovë.
Sipas kësaj organizate, komunën e Tetovës edhe 9 maji i sivjetmë, kur shënohet Dita e Europës, e gjeti pa transport publik, pa gjelbërim, pa parkingje nëntokësore dhe me infrastrukturë të shkatërruar rrugore si dhe shumë mungesa tjera.
“Sot, në Ditën e Europës, jetojmë në një qytet ku pluhuri në rrugët e lagjeve tona ende është pjesë e përditshmërisë për fëmijët tanë. Rrugët e qytetit tonë nuk pastrohen si në Europë, por pastrohen vende-vende ende si në shekullin e XIX, pa makineri dhe infrastrukturë moderne. Shkaktare për sëmundjet respiratore të fëmijëve është pikërisht pluhuri që ata thithin nga ambienti. Sot, në Ditën e Europës, Tetova është qyteti me më pak hapësira të gjelbra. Edhe ato pak hapësira që kishin mbetur po betonohen çdo ditë. Sot, në Ditën e Europës, policia e trafikut në Tetovë është bashkëfajtore dhe e paaftë për ta zgjidhur kaosin e trafikut në qytet. Sot, në Ditën e Europës, Tetova vazhdon të mbetet pa transport publik”,- tha Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.
Sipas Xhaferit, kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nuk po i mbaN premtimet ndaj qytetarëve edhe pse ka premtuar se të gjitha mjetet financiare nga buxheti I komunës do të jenë transparente. (Visar Sadiki, TVM2)
