Rasti “Mitmarrja”, video-inçizimi shfaqet në Youtube

09.05.2018 17:08

Në seancën gjyqësore të rastit “Mitmarrja”, ku i akuzuar është kryeministri, Zoran Zaev....

Në seancën gjyqësore të rastit “Mitmarrja”, ku i akuzuar është kryeministri, Zoran Zaev, u lëshua video-incizimi i shkurtër që ishte shfaqur në Youtube. Me shikimin e videos përfundoi procedura e dhënies së dëshmive.

Gjykata konstatoi se në incizimin ekzistojnë tre ndërprerje, me ç’rast konstatoi se incizimi është jo i plotë dhe me ndërprerje. Pas emetimit, kryeministri sqaroi se në ç’farë konteksti në incizim e ka përmendur vëllain e tij, Vice Zaevin.

“Zotëri Ivan Nikollov është klient në këmbimoren “Peon”, ku punon vëllai im. Këtu bisedohet se nëse janë paratë në euro çka do bëjmë. Në këmbimore do t’i këmbesh paratë dhe do blesh ciment, beton, hekur, ajo është e drejta jote. Këto pjesë janë të ndërprera dhe tani edhe Gjykatës, por edhe prokurorit publik, i them se qëllimi ka qenë prerja e materialit dhe prezantimi i tij para opinionit”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Videoja e plotë, për të cilën Zoran Zaev akuzohet për pranim të ryshfetit, ka qenë e lëshuar edhe në seancën e mëhershme pa praninë e publikut. Zaev kërkoi që në masa të veçanta hetimore të lëshohet në publik, por Gjykata e Apelit nuk e lejoi këtë.

Për rastin “Mitmarrja”, Zaev akuzohet se gjatë periudhës që ka udhëhequr me komunën e Strumicës, ka kërkuar nga biznesmeni i Strumicës, Ivan Nikollov, mito prej 160 mijë eurove për legalizimin e një toke. Seanca e ardhshme është caktuar për më 15 maj ku do të thuhen fjalët përfundimtare.

RASTI “TITANIK”, KËRKOHET KONFISKIM I PRONAVE TË TË AKUZUARVE

Ndërkohë, në rastin “Titanik”, prokurorja, Lile Stefanova, dha propozim për konfiskimin e pronave të të akuzuarve në rastin “Titanik”.

Nga Nikolla Gruevski dhe Martin Protugjer kërkohet të konfiskohet pronë në vlerë prej 34 milionë e 908 mijë e 700 denarë, po ashtu nga Ilija Dimovski dhe Gruevski konfiskim të pronës në vlerë prej 41 milion 435 mijë e 400 denarë dhe po ashtu me propozimin e tretë nga Gruevski, Dimovski dhe i akuzuari, Leko Ristevski, kërkohet konfiskim në vlerë prej 62 milionë e 730 mijë e 874 denarë. (Flutura Rahimi – Latifi, TVM2)