Takimi i Fondit global në Shkup, masat kundër HIV-it, Malaries dhe Tuberkulozit

09.05.2018 17:34

Nga ky vit, Maqedonia ka marrë plotësisht financimin e projekteve për të luftuar sëmundjet HIV.....

Nga ky vit, Maqedonia ka marrë plotësisht financimin e projekteve për të luftuar sëmundjet HIV, Malarien dhe Tuberkulozin. Për Maqedoninë, nga Fondi global gjatë 14 viteve të fundit janë ndarë 34 milionë dollarë.

Ndërsa vetë Qeveria për vitin 2018 nga buxheti ka ndarë 1.5 milion euro. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, momentalisht vendet janë duke rritur mbështetjen financiare shtetërore, ndërsa Fondi global mbështet vendet me shkallën më të lartë të këtyre sëmundjeve, ndërsa me kapacitet më të vogël ekonomik.

 “Procesin e implementimit të programeve kjo qeveri dhe ministri e vazhdon me përfshirjen e organizatave qytetare. Me këtë dëshmojmë një proces me të cilin edhe më tej e përforcojmë kapacitetin demokratik të vendit tonë. Do të vazhdojmë të jemi inkluziv, pasi organizatat qytetare kanë nivel të lartë ekspertësh dhe njohuri të mëdha të nevojave të shfrytëzuesve përfundimtarë”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Pasi Fondi global e njohu rolin e Maqedonisë si lidere në rajon, vendosi mbajtjen në Shkup të takimit dyditor, të 39 me radhë, të Këshillit të Fondit global kundër HIV-it, Malaries dhe Tuberkulozit, theksoi ministri i shëndetësisë.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryeministri Zaev, i cili tha se duke investuar në afat të gjatë, do të shpëtohen shumë jetë njerëzish, për të shtuar se financimi shtetëror doemos edhe më tej do të rritet, me çka do të garantohet qëndrueshmëria afatgjate e programeve për luftë kundër HIV-it dhe Tuberkulozit dhe do të përfshihen një numër më i madh i personave të prekur.

Në takimin dyditor të 39 të Këshillit të Fondit global po marrin pjesë 300 delegatë nga e mbarë bota. (Gyltene Sinani, TVM2)