Zaev për rastin e Kumanovës: Qeveria, e gatshme për hetim ndërkombëtar

09.05.2018 18:03

Kryeministri, Zoran Zaev, edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin se Qeveria e Maqedonisë....

Kryeministri, Zoran Zaev, edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin se Qeveria e Maqedonisë është e përgatitur për hetim ndërkombëtar për rastin “Kumanova”, por kjo nuk mund të ndodh deri sa zgjat procesi gjyqësor.

“Procesi patjetër duhet të përfundojë deri në fazën e aktgjykimit, që më pas të mund të ftohen përfaqësues ndërkombëtarë, si komentues, si njerëz që do të jenë në vetë procesin. Unë besoj se detajet mund t’i thotë Ministria e Drejtësisë, varësisht asaj se kur ka mbaruar një fazë e caktuar, ku nëpërmjet ekspertizës ndërkombëtare do të mund të komentohet”,- tha kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.

RASTI I KUMANOVËS, SELA: HETIM NDËRKOMBËTAR PËR RASTIN E KUMANOVËS

Nëpërmjet një letre drejtuar ambasadorit të BE-së në Shkup, në Ditën e Europës, hetim ndërkombëtar ka kërkuar edhe Aleanca për Shqiptarët.

“Në emër të Aleancës për shqiptarët, dëshiroj t'u inkurajoj që të forconi përpjekjet e BE-së për të mbështetur institucionet shtetërore dhe shoqërinë në përgjithësi drejt demokratizimit dhe depolitizimit të plotë, me qëllim të sigurimit të shërbimeve më të mira për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike. Në veçanti, kërkoj angazhimin tuaj serioz në dhënien fund të drejtësisë selektive, veçanërisht në lidhje me rastet në skenë si ajo e Kumanovës dhe duke hedhur dritë të plotë mbi sponsorët e këtyre rasteve dhe motivet e tyre”,- thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

RASTI I KUMANOVËS, MICKOSKI: TË VRARË, HERONJ

Por, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, vlerëson se vendimi i shqiptuar ishte i drejtë dhe se nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar.

“Drejtësia duhet të kënaqet. Çdo “selfie” dhe buzëqeshje në vendin ku policët humbën jetët e tyre, iniciativë për arbitrazh ndërkombëtar e cila gjithnjë e më shpesh përmendet, ose marrëveshje politike për punë që janë të qarta dhe shumë precize dhe ku tashmë ka faj të vërtetuar dhe përgjegjësi, janë shkatërrim tendencioz i pasqyrës së qartë se krimi, terrorizmi dhe dhuna duhet të dënohen”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Mickoski ka kërkuar nga Qeveria që të kujdeset  për familjet e policëve të vrarë në aksionin e 9 majit të vitit 2015 në Lagjen e trimave në Kumanovë. (Naim Ramadani, TVM2)