Protesta në Llojan e Miratoc, kërkohet hapja e vendkalimit kufitar
Banorët e të dyja anëve të kufirit Llojan – Miratoc midis Maqedonisë dhe Serbisë....

Banorët e të dyja anëve të kufirit Llojan – Miratoc midis Maqedonisë dhe Serbisë, 9 Majin – Ditën e Evropës e shënuan me një protestë paqësore, me të cilën nga autoritetet e të dyja shteteve kërkuan hapjen e kufirit dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët. Ata në shenjë paqeje dhe demokracie në qiell lëshuan pëllumba të bardhë dhe tullumbace blu e bardhë.
“Unioni Europian me të gjitha mekanizmat kërkon heqjen e kufijve dhe ne si shtet aspirant për BE, kërkojmë që ky vendkalim, kjo e padrejtë shekullore që u bëhet këtyre vendbanimeve, njëherë e përgjithmonë të zgjidhet”,- tha ndër të tjera kreu i Likovës, Erkan Arifi.
“Meqë sot është Dita e Europës dhe dy shtetet, si Maqedonia ashtu edhe Serbia, pretendojnë të njëjtën, atëherë këto dy shtete duhet të kalojnë provimin e civilizimit dhe për hir të vlerave europiane të hapin këtë kufi”,- tha kryesuesja e Këshillit të Likovës, Lejla Iseni.
Banorët e zonës kufitare të Llojanit shprehin mllefin e tyre, pasi që për shkak të lidhjeve të ngushta familjare që kanë në Miratoc e në vendet tjera aty përreth, ata në vend se 2 kilometra duhet të bëjnë mbi 70 kilometra rrugëtim për t’i vizituar të afërmit e tyre.
“Sot protestojmë për shkak të ndalimit të kufirit, i cili 25 vite është i mbyllur. Largësia është 2 kilometra, kurse nuk na lejojnë të kalojmë. Sillemi 70 kilometra rrugë Kumanovë - Tabanoc - Preshevë për të shkuar në fshatin fqinj, në Miratoc”,- tha një banor.
“Krejt familjen e kam nga ana tjetër. Se a hapet kufiri nuk e di, nuk e besoj, nuk ma merr mendja kurrë”,- u shpreh një banor.
Qytetarët janë të revoltuar edhe nga fakti se në pjesën tjetër të kufirit, nga Tabanoci e deri në Kriva Pallankë, janë hapur madje tri pika kufitare, kurse në pjesën ku gravitojnë shqiptarët, asnjë pikë kufitare. (Nexhat Aqifi, TVM2)
