Eurovizion 2018, Bushpepa e dërgoi Shqipërinë në finale

09.05.2018 19:13

Eugent Bushpepa ka ndezur mbrëmë skenën e festivalit europian në Lisbon...

Eugent Bushpepa ka ndezur mbrëmë skenën e festivalit europian në Lisbon me këngën “Mall”. Përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovizion dhuroi një interpretim mbreslënës që e siguroi biletën për të kaluar në natën finale, që do të mbahet më 12 maj, të shtunë.

Eugenti tha se ëndrra e cila iu bë realitet ishte dhe mundësia që ai të interpretojë ashtu siç deshi, duke përfaqësuar një lloj muzike që ai e  këndon me shumë shpirt dhe dashuri.

“Të them të drejtën, unë jam përpjekur të bëj më mirë atë që kam ditur. Normalisht, shumë njerëz e kanë vlerësuar, disa të tjerë mbase nuk kanë arritur ta kuptojnë, por jam shumë i lumtur që jam këtu si vetvetja ime, duke përfaqësuar një lloj muzike që unë e këndoj me shumë shpirt, me shumë dashuri, pra muzikën rrok, kështu që më tepër se aq është një ëndërr e bërë në realitet”,- tha përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovizion, Eugent Bushpepa.

Përveç Shqipërisë, shtetet e tjera që u kualifikuan për natën finale janë edhe Qipro, Austria, Estonia, Izraeli, Bullgaria Republika çeke, Finlanda, Irlanda dhe Lituania. Bushpepa ishte i treti në gjysmëfinale që u ngjit në skenë me këndën “Mall”. Atë në skenë e shoqëruan instrumentalistët, Denis Hima, Gerti Hima, Besnik Nikolli dhe vokalistet, Erinda Agolli dhe Greta Radovani.

Maqedonia edhe këtë vit nuk arriti të kualifikohet në finale. Hera e fundit që Maqedonia kaloi në finale ishte në vitin 2012, me këngëtaren Kaliopi. E veçanta e këtij edicioni është se në garë janë mbledhur tre shqiptarë.

Tani më finalen e kanë siguruar dy shqiptarë, Eugent Bushpepa dhe përfaqësuesja e Qipros, Eleni, e cila është me prejardhje shqiptare nga Fieri i Shqipërisë. (Ardita Imeri, TVM2)