Dogana e Kosovës, kalimi i mallrave nga Bllaca në Glloboçicë

09.05.2018 19:32

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka përfunduar të gjitha përgatitjet për funksionalizimin...

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka përfunduar të gjitha përgatitjet për funksionalizimin e pikëkalimit kufitar të Glloboçicës, që të mundësohet kalimi i ngarkesave komerciale me mallra nga Maqedonia në Kosovë dhe anasjelltas.

Deri tek ky ridestinim ka ardhur si rezultat i vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës për mbylljen e segmentit të rrugës Hani Elezit - Kaçanik. “Pikëkalimi kufitar i Glloboçicës ka qenë i hapur për trafik të udhëtarëve derisa tani përkohësisht do të mundësohet edhe trafiku komercial, deri në një vendim tjetër nga Ministria e Infrastrukturës lidhur me segmentin e rrugës Kaçanik - Hani i Elezit. “Duke marrë parasysh se edhe nga ana maqedonase ky pikëkalim ka qenë i lejuar vetëm për udhëtarë e jo për mallra komerciale, jemi duke pritur edhe konfirmimin nga pala maqedonase për funksionalizimin komercial të kësaj pike dhe lejimin e dërgesave komerciale në import, eksport dhe transit përmes pikëkalimit kufitar Glloboçicë”,- thuhet në njoftimin e Doganës. 

Për këtë çështje ministri kosovar i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka njoftuar se është konsultuar edhe me ministrin për transport dhe lidhje të Maqedonisë, Goran Sugareski, me të cilin kanë rënë dakord që të mbetet e hapur mundësia e një takimi për koordinim sa më të mirë të menaxhimit të kësaj situate të përkohshme.