Tërheqja e ShBA-ve nga marrëveshja bërthamore, reagime nga Irani dhe Rusia

09.05.2018 19:57

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen....

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke deklaruar se ai po e bën botën më të sigurt.

“Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë kërcënime të zbrazëta”, tha ai në një fjalim televiziv nga Dhoma Diplomatike e Shtëpisë së Bardhë.

Trump tha se marrëveshja e vitit 2015, e cila përfshin Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, ishte një marrëveshje “tmerrësisht e keqe dhe e njëanshme, që nuk duhet të ishte bërë kurrë”.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomike”.

Vendimi i presidentit Trump nënkupton se qeveria e Iranit duhet të vendosë nëse do të tërhiqet ashtu si ShBA-të, apo do të përpiqet të shpëtojë atë që ka mbetur nga marrëveshja. Pas deklaratës së Trumpit, ka ardhur edhe reagimi i liderit iranian, Ayatollah Ali Khamenei. Ai ka thënë se ky veprim i ShBA-ve është një gabim shumë i madh dhe mund të ketë pasoja serioze.

Ndërkohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, menjëherë ka mbledhur Këshillin e Sigurisë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov, në një deklaratë për media tha se në takim u shpreh shqetësimi i thellë në lidhje me një vendim të tillë.