Maqedoni

Zaev: Kontesti me emrin patjetër të zgjidhet këtë vit. Rot: Maqedonia e ka mbështetjen gjermane për integrimet

10.05.2018 14:55

Kontesti me emrin duhet të zgjidhet këtë vit, ose status kuoja do të vazhdojë me vite, ka deklaruar sot kryeministri, Zoran Zaev.

Këto komente Zaev i bëri në pres konferencën e përbashkët me ministrin shtetëror për çështje evropiane, Mihael Rot, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoni. Sipas Zaevit, ka vullnet te të dyja palët për arritjen e kompromisit të pranueshëm për të dyja palët.

Është i nevojshëm konstruktivitet, përkushtim dhe fleksibilitet. Qeveria e Maqedonisë është pozitive dhe kreative, ashtu si edhe qeveria në Athinë, prandaj shoh dritë në fund të një tuneli të gjatë, tha Zaev.

Nga ana tjetër, zyrtari gjerman e përshëndeti klimën pozitive për zgjidhjen e kontestit me emrin në të dyja vendet, ndërsa i përshëndeti arritjet e qeverisë së Maqedonisë në fushën e reformave dhe afrimit drejt BE-së. Klima në vend ka ndryshuar dukshëm, por është e domosdoshme të vazhdohet me reformat e nevojshme për afrimin euro-atlantik të vendit. Gjermani e mbështet perspektivën europiane të Maqedonisë dhe do t’i ndjek nga afër raportet e përparimit, tha Rot.