Maqedoni

Osmani me mesazh për Ditën e Europës: Qeveri e përkushtuar për integrimin euroatlantik

10.05.2018 15:38

Me rastin e Ditës së Europës, zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani...

Me rastin e Ditës së Europës, zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, të gjithë ambasadorëve anëtarë të Bashkimit Europian ua uroi këtë ditë, por njëkohësisht duke i siguruar ata që edhe Maqedonia si pjesë e Europës së shpejti pretendon që t’i bashkëngjitet familjes së madhe të BE-së.

Zëvendëskryeministri Osmani është i bindur që bashkëpunimi me BE-në do të thellohet akoma më shumë dhe vendi vazhdon me përkushtim në realizimin e reformave të filluara me qëllim të krijimit dhe forcimit të një shoqërie funksionale dhe demokracisë së zhvilluar. Po bëjmë progres të rëndësishëm dhe kjo është kryesisht rezultat i mbështetjes si dhe inkurajimit të madh që kemi marrë vazhdimisht nga BE-ja dhe ShBA-të, vlerësoi Osmani.

Duhet të vazhdojmë me punën tonë në ngritjen e institucioneve të qëndrueshme dhe profesioniste të një ekonomie të përparuar, shoqëria e cila i vlerëson mundësitë e barabarta për të gjithë pa dallim të përkatësisë etnike apo fetare. Kur do t’i arrijmë këto objektiva dhe jam i sigurt se do t’ia dalim, atëherë do të bëhemi anëtare krenare e BE-së. Gjithsesi, një Europë e bashkuar do të jetë më e fortë dhe më e begatë, sidomos në lidhje me sfidat e reja në shkallë të gjerë për vlerat tona të përbashkëta që përballemi nga jashtë. Shumica e qytetarëve e kuptojnë këtë të vërtetë më saktë diku rreth  70-80% e popullsisë është pro aderimit në BE dhe NATO. Dhe kjo qeveri është e gatshme të përballet me sukses me të gjitha sfidat që na dalin”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

Osmani më tej ka thënë se edhe përskaj ballafaqimit me krizën politike, e cila ishte kërcënim për të ndryshuar drejtimin e duhur, megjithatë qytetarët e Maqedonisë dëshmuan edhe një herë vullnetin se ku ata përkasin dhe në Maqedoni mbisundon vullneti që vendi i takon perëndimit, jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht. (Ersan Pajaziti, TVM2)