Takimi Zaev-Rot, Rot: Këtë vit duhet mbyllur kontesti me emrin
Zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, hapja e negociatave për anëtarësim në BE dhe në NATO...

Zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, hapja e negociatave për anëtarësim në BE dhe në NATO, dhe vazhdimi i punës së Prokurorisë Speciale Publike, qoftë edhe me integrimin e saj në Prokurorinë e Përgjithshme Publike ishin konstatimet e përbashkëta të cilat dolën pas takimit të realizuar mes kryeministrit, Zoran Zaev, me zëvendësministrin e jashtëm gjerman përgjegjës për Europën, Mihael Rot.
Rot edhe njëherë ka përcjellë mbështetjen e plotë të Qeverisë gjermane për Maqedoninë drejt integrimit të saj të plotë në BE dhe në NATO, dhe ka inkurajuar Qeverinë e Maqedonisë që t’i vazhdojë reformat e nisura.
Ai gjithashtu potencoi se sivjet është momenti i fundit kur Maqedonia përfundimisht do ta përmbyllë kontestin e hapur me palën greke për emrin, në të kundërtën status-kuoja do të zgjasë me vite të tëra.
“I vlerësojmë lart përpjekjet tuaja për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe vendosjen e raporteve pozitive në mes dy vendeve. Opinionet zyrtare të të dyja shteteve e vërtetojnë gatishmërinë që këtë vit të zgjidhjet çështja e emrit. Të dyja palët kanë treguar se janë të gatshme për kompromise të mëdha, Qeveria gjermane përkrah zgjidhjen e këtij konteksti dhe vlerëson lart edhe kontributin e mediatorit ndërkombëtar, Metju Nimic. Ka mbetur edhe pak mundësi për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe prandaj themi se këtë vit duhet kjo çështje të mbyllet, sepse në të kundërtën situata status-quo do të zgjasë me vit”,- tha zëvendësministri i Jashtëm i Gjermanisë përgjegjës për Europën, Mihael Rot.
ZAEV: TË GATSHËM T’I TEJKALOJMË TË GJITHA SFIDAT
Kryeministri Zaev deklaroi se kontesti me emrin duhet të zgjidhet patjetër këtë vit, andaj për gjetjen e zgjidhjes po angazhohen edhe qeveria në Shkup edhe ajo në Athinë.
“Ne jemi të bindur se liderët e Bashkimit Europian e kanë parë se koha për t’i dhënë Maqedonisë një orientim europian është tani, këtë vit. Ambiciet tona janë që të marrim ftesë për anëtarësim në NATO dhe datë për fillimin e negociatave për në Bashkimin Europian në vitin 2018. Ne këtë mundësi dëshirojmë ta realizojmë dhe jemi të gatshëm për t’i tejkaluar sfidat të cilat na presin”,- u shpreh kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Rot u takua edhe me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani. Sipas Osmanit, përkushtimi i vazhdueshëm i Gjermanisë për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor paraqet një shtysë që vendi të hapërojë drejt realizimit të reformave të guximshme të cilat afrojnë vendin drejt strukturave euroatlantike.
“Të gjitha këto ngjarje, i gjithë ky kontekst, krijoi atmosferë të re në rajon, që paraqet guxim dhe shtytje për reforma të mëtutjeshme të cilat do ta afrojnë Ballkanin Perëndimor drejt BE-së, proces që shpresoj se do të kurorëzohet me konkluzione pozitive në prag të Samitit në Sofje, me të cilin do të betonohet orientimi euroatlantik i rajonit”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Ministri i jashtëm gjerman shprehu optimizëm që në qershor Këshilli i Europës t’i japë mbështetje Maqedonisë për të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në. (Fitim Kryeziu, TVM2)
