Kodi etik në Kuvend, Xhaferi: Nuk lejojmë përsëritjen e incidenteve nga e kaluara
Parlamenti po përgatitet për miratimin e kodit etik të sjelljes së deputetëve...

Parlamenti po përgatitet për miratimin e kodit etik të sjelljes së deputetëve. Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, tha se kodi për momentin është në fazën e projekt-dokumentit dhe ka për qëllim përmirësimin e etikës së deputetëve dhe besimin e qytetarëve tek ata. Xhaferi tha se nuk do të lejojë të përsëriten incidentet e fundit në Kuvend.
“Që të jetë shtëpia ligjvënëse funksionale dhe para së gjithash në dobi të qytetarëve si individ dhe i shoqërisë në tërësi, i nevojitet vendosje e normave etike si dhe standardeve dhe rregullave të cilat do të shndërrohen në përditshmërinë tonë pa dallim nëse jemi në pushtet apo në opozitë. Ato do të jenë vlera me të cilat do ta arsyetojmë besimin të cilin e kemi fituar prej qytetarëve. Unë në cilësinë e kryetarit të kuvendit që në fillim të mandatit deklarova se nuk do të përsëriten ngjarjet negative të së shkuarës, të cilat lanë njollë të zezë në ndërtimin e demokracisë parlamentare”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
SUKRAMANEN: DEPUTETËT TË JAPIN LLOGARI PËR SHPENZIMET
Eksperti për etikë në parlamentin francez, Ferdinand Sukramanen, deklaroi se përpilimi i kodit etik vjen si pasojë e veprimeve nga e kaluara e deputetëve dhe e njëjta do të duhet të bazohet në llogaridhënie për të ardhurat nga jashtë dhe kontrollin e shpenzimeve të tyre.
“Shpenzimet për transport të deputetëve të paguhen në llogari të posaçme, që kontrolli i tyre të jetë më i lehtë. Për çdo shpenzim, qoftë i njëjti privat, por me interes publik, deputeti do të duhet të konsultohet me personat përgjegjës të etikës, me qëllim që të merren masa për parandalimin e keqpërdorimeve”,- theksoi eksperti francez për etikë, Ferdinand Sukramanen.
TIMONIE: TEST PËR EUROINTEGRIMET
Ambasadori i Francës në Shkup, Kristijan Timonie, rikujtoi kryeparlamentarin Xhaferi se përcaktimi i mënyrës së punës në kuvend do të jetë test për eurointegrimet e Maqedonisë.
“Duhet që shumica por dhe opozita të luajnë rolin e saj dhe unë konsideroj në ju kryetar, që nga njëra anë të përcaktohen qartë rregullat por gjithashtu edhe marrja e drejtë e vendimeve. Kjo pikë është tejet e rëndësishme për ne pasi që me këtë do të testohen shanset për eurointegrime të Maqedonisë”,- theksoi ambasadori i Francës, Kristijan Timonie.
Kodi i etikës në parlament do të duhet të përpilohet në dialogun “Zhan Mone” në Ohër. Timonie theksoi se praktikat franceze mund të jenë vetëm inspirim, ndërkaq deputetët vetë duhet të vendosin për mirësjelljen brenda kuvendit. (Meral Ismaili, TVM2)
