Sfidat e Maqedonisë para anëtarësimit, Pendarovski: RM meriton anëtarësimin në NATO

10.05.2018 17:28

Sfidat e Maqedonisë para Samitit të NATO-s janë shumë specifike....

Sfidat e Maqedonisë para Samitit të NATO-s janë shumë specifike, deklaroi  koordinatori nacional për përgatitje të Maqedonisë për anëtarësim në NATO, Stevo Pendarovski. Maqedonia i plotëson kushtet për në NATO, por nëse nuk e merr ftesën, sigurisht se sfida nuk do të jetë ruajtja e integritetit dhe sovranitetit territorial, pasi që nuk ka kërcënime të tilla, ka deklaruar Pendarovski.

Ai vlerëson se anëtarësimi në NATO do të ishte shtytje për ekonominë në aspekt të investimeve të jashtme, të cilat shumë lehtë vijnë nëse vendi bëhet pjesë e një regjimi më të gjerë, stabil dhe të sigurt. Maqedonia ka probleme të cilat nuk janë aspak të ngjashme krahasuar me vendet e tjera aspirante për në NATO, thotë Pendarovski.

“Sfidat tona para Samitit dua t’i krahasoj me sfidat e vendeve të cilat kanë qenë kandidate, kurse tani janë anëtare të NATO-s. Sfidat tona para samiteve në princip zakonisht kanë qenë në zhvillimin e demokracisë dhe marrëdhëniet ndëretnike. Njëjtë ishte edhe në Samitin e Bukureshtit, kur i plotësuam të gjitha kushtet përpos emrit, kurse çështja e emrit nuk nënkupton se nuk ka demokraci. Kurse edhe në samitet tjera të NATO-s po ashtu kanë qenë të përmendura të njëjtat formulime”,- theksoi koordinatori nacional i RM-së për anëtarësim në NATO, Stevo Pendarovski.

BARTOL: DYERT E ALEANCËS JANË TË HAPURA

Shefi i zyrës së NATO-s në Shkup, Gorazd Bartol, theksoi se dyert e Aleancës janë gjithmonë të hapura. Ndonëse Maqedonia ka arritur progres të theksuar, megjithatë ka edhe shumë punë për të bërë.

Dyert e NATO-s për vendin tuaj janë të hapura. Shkupi zgjodhi të jetë anëtare e NATO-s. Reformat të cilat janë para jush janë të gjata dhe të mbushura me sfida, progresi i vendit tuaj është i shkëlqyeshëm, ka akoma punë për t'u bërë. Kurse si parakusht është arritja e një marrëveshjeje rreth çështjes së emrit”,- tha shefi i Zyrës së NATO-s, Gorazd Bartol.

Sipas ish deputetes, Nora Aliti, samiti i radhës është një sfidë e madhe për vendin.

“Sot pas 10 viteve nga vetoja e Greqisë, për ne është një sfidë e madhe që të përgatitemi edhe për atë se mund edhe të mos marrim ftesë për anëtarësim”,- u shpreh ish-deputetja, Nora Aliti.

Në panelin e sotëm u prezantua gjithashtu edhe faqja e re e NATO-s, në të cilën do të publikohen informata të sakta dhe në kohë reale për rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s. (Zekirja Mexhiti, TVM2)