Dhuna familjare, mbi 90 fëmijë vitin e kaluar viktima të dhunës

10.05.2018 17:52

Në hulumtimin e “Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare”....

Në hulumtimin e “Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare” në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it, theksohet se mbi 90 fëmijë vitin e kaluar janë evidentuar si viktimë e dhunës familjare në Maqedoni.

Nga 903 vepra penale “dhunë familjare” të vitit të kaluar, në kuadër të të cilave janë evidentuar 976 viktima, gratë dhe fëmijët më shpesh kanë qenë cak i dhunës. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski,  në prezantimin e sotëm të “Studimit rreth mekanizmave institucional për mbrojtje të fëmijëve nga dhuna”, tha se MPB është pjesëmarrës aktiv dhe promotor në projektet kushtuar mbrojtjes së fëmijëve, sepse veprimi preventiv është me rëndësi esenciale në mbrojtjen e suksesshme të fëmijëve nga dhuna.

“Ministria e Punëve të Brendshme në fushën e veprimit parandalues është pjesëmarrës aktiv dhe promotor në projektet kushtuar mbrojtjes së fëmijëve, sepse në bazë të të dhënave tona personale dhe përvojave operative, është e pakontestueshme se veprimi preventiv është me rëndësi esenciale në mbrojtjen e suksesshme të fëmijëve nga dhuna”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

“Kemi vërejtur se tek fëmijët ku ka nivel më të lartë të dhunës, ata rriten para kohe, për dallim prej moshatarëve tjerë që rriten në familje dhe kujdesen për ata dhe ju japin mbështetje. Kjo jo vetëm që nuk është e drejtë dhe shkelje e të drejtave të njeriut, por është edhe brutale për fëmijën, por gjithashtu ka një kosto të lartë ekonomike. Ekonomistët vlerësojnë se kjo kushton 8% nga PDP-ja globale”,- theksoi Benxhamin Perks nga UNICEF.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me UNICEF-in, periudhën e kaluar ka punuar në një manual praktik për intervenimin dhe parandalimin e dhunës nëpër shkolla, dhe janë në fazën përfundimtare ndërhyrjet e fundit”,- u shpreh ministrja e arsimit, Reneta Deskovska.

“Si Ministri e Punës dhe Politikës Sociale do të sjellim një proces të deinstitucionalizimit, ju do të pyesni çfarë lidhje ka kjo me dhunën. Mospërfillja është forma më e përhapur e dhunës dhe për këtë nuk flasim fare, kemi vendosur dhe jemi përkushtuar t’i transformojmë institucionet dhe nuk do të kemi asnjë fëmijë deri në vitin 2020-2021 nëpër institucione dhe në këtë drejtim punojmë çdo ditë. Presim që rezultatet e para t’i shohim në muajin qershor”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.

Në raport rekomandohet se nevojiten sisteme të definuara konkrete për menaxhim me rastet në të gjitha institucionet kompetente, duke u fokusuar në karakteristikat individuale të secilit rast dhe nevojat individuale të çdo fëmije që është viktimë e dhunës. Mes tjerash, rekomandohet se duhet të ketë edhe zhvillim të kritereve dhe vendosjen e servisit të standardizuar special, servis për fëmijë – viktima të dhunës. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)