Bit Pazar, protesta shitësit ambulantë të luleve

10.05.2018 18:03

Shitësit ambulantë të luleve në Bit Pazar, përmes protestës, shprehën revoltën e tyre....

Shitësit ambulantë të luleve në Bit Pazar, përmes protestës, shprehën revoltën e tyre, siç thonë, ndaj vendimit të Qytetit të Shkupit, mbështetur edhe nga komuna e Çairit, për dislokimin e tyre në hapësirat pas objektit të poliklinikë së Bit Pazarit, deri në ndërtimin e tregut të Bit Pazarit. Ata shprehen kundër largimit të tezgave nga ana e policisë dhe kërkojnë nga qyteti dhe komuna që t’i sistemojnë diku tjetër. Sipas tyre, aty ku momentalisht janë dislokuar nuk ka shitje.

“Ata kërkojnë nga ne qe të largohemi, por parashtrohet pyetja se ku do të shkojmë. Kemi pasur takim me kryetarin e Çairit, Visar Ganiun, dhe qytetit të Shkupit, Shilegov, të cilët thonë se njëherë duhet të rindërtohet Bit Pazari, pastaj do të na sistemojnë diku. Mirëpo sot dolëm të punonim si çdo ditë, por hasëm në polici”,- theksoi protestues.

Nga Qyteti i Shkupit edhe një herë rikujtojnë se tentojnë t’i zgjidhin problemet me të cilat ballafaqohen të gjithë dhe nuk do të tolerojnë që trotuaret të jenë të zënë me tezgaxhinjtë që janë të vendosur në mënyrë të paligjshme.

“Qyteti i Shkupit nuk do të heq dorë nga synimi për të liruar trotuaret nga instalimet e vendosura në mënyrë të paligjshme përgjatë rrugëve dhe bulevardeve të qytetit. Është shumë e rëndësishme për ne si Qytet i Shkupit, të zgjidhim problemet me të cilat ballafaqohen të gjithë qytetarët e qytetit tonë. Ne e kuptojmë se shitësit që operojnë ne tezgat e paligjshme investojnë shumë mund dhe përpjekje për të siguruar ekzistencën e tyre dhe mu për këtë arsye, në bashkëpunim me "Tregun e Shkupit", u kemi ofruar hapësirë në brendi të pazarit dhe nën kushte të caktuara, të favorshme për ta”,- thuhet nga Qyteti i Shkupit.

Ndërkohë, në njoftimin nga komuna e Çairit thuhet se me koordinim të ndërsjellë të të dyja institucioneve po ndërmerren hapa të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të gjendjes së hapësirave publike në komunën e Çairit. Protestuesit paralajmërojnë protesta çdo ditë deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit të tyre.(Sedat Selimi, TVM2)