Gjykata Penale, filloi gjykimi për lëndën “Titanik 2”
Në Gjykatën Penale në Shkup filloi procesi gjyqësor për lëndën “Titanik 2”....

Në Gjykatën Penale në Shkup filloi procesi gjyqësor për lëndën “Titanik 2”, e që ka të bëjë me parregullsitë zgjedhore në zgjedhjet lokale të 2013.
Në këtë lëndë të PPS-së, të dyshuar janë lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, ish-drejtori i DBK-së, Sasho Mijallov, si dhe ish-anëtarët e KShZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Stojkovski dhe Sashe Srcev.
Gjykatësi i lendes, Ognen Stavrev, në seancën e kaluar i pranoi kërkesat e palës mbrojtëse për anulimin dhe caktimin e seancës së re gjyqësore për ditën e sotme, me qëllim të shqyrtimit të tekstit të azhurnuar paraprakisht të aktakuzës që e ndau prokurorja speciale, Fatime Fetai.
Në seancë e sotme të pranishëm ishin të gjithë të akuzuarit, me ç’rast që në fillim të seancës, njëri nga të akuzuarit, Bedredin Ibraimi, kërkoi që avokati i Menduh Thaçit të jetë edhe avokati i tij, me ç’rast kjo u bë shkas që sërish të kërkohet anulim të seancës gjyqësore me qëllim të njoftimit me lëndën e re. Gjykatësi i lëndës refuzoi kërkesën e avokatit dhe kërkoi nga PPS të fillojë me fjalimin hyrës.
Më pas, Bedredin Ibraimi kërkoi që aktakuza të jetë e përkthyer edhe në shqip dhe më pas kjo u shtrua edhe si kërkesë edhe nga ana e Menduh Thaçit.
Gjykatësi i lëndës pranoi kërkesat e të akuzuarve anuloi seancën deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Avokati mbrojtës, Lubço Shvrgovski, kërkoi të matet niveli i oksigjenit në sallë, sepse, sipas tij, hapësira gjyqësore në një objekt të vjetruar të Gjykatës nuk i plotëson kushtet për mbajtjen e seancave gjyqësore për këtë lëndë.
