Ndërroi jetë aktori i njohur, Salaetin Bilal
Pas një sëmundjeje të rëndë, mbrëmë në Spitalin e Shkupit, në moshën 76 vjeçare....

Pas një sëmundjeje të rëndë, mbrëmë në Spitalin e Shkupit, në moshën 76 vjeçare, ndërroi jetë aktori i njohur, Salaetin Bilal.
Salaetin Bilali shkollën e mesme e përfundoi në Shkup, ndërsa studimet për aktor i kreu në konservatorin e Stambollit. Biografia e tij artistike fillon qysh në vitin 1964, kur ai u emërua aktor në ish Teatrin profesionist të Kombësive në Shkup, ku luante paralelisht në dramën turke dhe dramën shqipe. Gjatë karrierës së tij autoriale, Salko (siç e thërrisnin të afërmit dhe kolegët) interpretoi mbi njëqind role protagonistësh në Teatrin turk dhe skena të tjera të ndryshme në gjuhë të ndryshme në Maqedoni dhe jashtë saj: në Teatrin Shqiptar, në Teatrin Popullor Maqedonas, në Teatrin shtetëror në Stamboll dhe teatro të tjera të Ballkanit.
Ai gjithashtu ka interpretuar rreth 47 role në filma artistikë, midis tyre edhe në tre produksione të Hollivudit, si edhe në seriale televizive turke e shqipe. Në serialin e njohur turk “Elveda Rumeli”, Salaetin Bilall luajti njërin nga rolet protagoniste, ndërsa së fundmi interpretoi në serialin “Dera e Madhe”, prodhim i Televizionit të Maqedonisë, Programi në gjuhën shqipe.
I vlerësuar nga kritika si një aktor brilant dhe me nur të bukur skenik, Salko interpretoi në të gjitha zhanret, që nga dramat antike, klasike, dramaturgji ballkanike, shqipe e deri tek komeditë e njohura. Talenti i tij është vlerësuar në shumë festivale teatrore në Maqedoni dhe jashtë saj, ku ka marrë me dhjetëra çmime të para. Salejdin Bilall është vlerësuar edhe me çmimet prestigjioze kombëtare në Maqedoni, “13 nëntori” dhe “11 tetori”.
Salaetin Bilall ndërroi jetë duke lënë pas tij një pasuri krijuese më të cilën u edukuan breza të tërë artistësh. Varrimi i të ndjerit u bë sot paradite në varrezat e Butelit në Shkup. (Merita Çoçoli, TVM2)
