Maqedoni
Gjykata Penale, vazhdon gjykimi për rastin “Titanik 3”
11.05.2018 11:33
Seanca e radhës për lëndën e PSP-së “Titanik 3” është caktuar sot në Gjykatën Penale...

Seanca paraprake e kësaj lënde u anulua për shkak të angazhimeve personale të gjykatëses, Gordana Spirova. Rasti “Titanik 3” ka të bëjë me manipulimet zgjedhore. Deputetët, Ejup Alimi dhe Ismet Guri, që kanë qenë anëtarë të Komisionit komunal zgjedhor në zgjedhjet e vitit 2013 në komunën e Çairit, akuzohen për shkatërrim të materialit zgjedhor.
Kjo është lënda e parë e ekipit të Janevës ku gjykohen funksionarët e BDI-së. PPS për ta ka kërkuar edhe paraburgim, por ata janë ankuar te Gjykata e Apelit, ku në vend të masës së paraburgimit, gjykata ua mori pasaportat. Prokurorja, Fatime Fetai, në seancën publike në Gjykatën e Apelit deklaroi se dëshmitarët e Prokurorisë Publike kanë frikë nga deputeti i BDI-së, Ejup Alimi.
Ata kanë thënë se Alimi është njeri i fortë dhe është pjesë e BDI-së që është në pushtet. Alimi ka thënë se edhe nëse e burgosin në vend të huaj, do të ikë dhe do të kthehet në Maqedoni, dhe do të jetë i pranishëm në procedurën që zhvillohet kundër tij.
