Protesta në Bit Pazar të Shkupit, shitësit e luleve të pakënaqur nga dislokimi

11.05.2018 15:37

Shitësit e luleve në Bit Pazar kanë bllokuar sërish rrugën pranë tregut....

Shitësit e luleve në Bit Pazar kanë bllokuar sërish rrugën pranë tregut në shenjë pakënaqësie me vendin ku janë disllokuar.

Ata ankohen se zhvendosja e tyre në hapësirat prapa ambulancës së Bit Pazarit është e papërshtatshme për shitjen e luleve, pasi është vend i pafrekuentuar. Protestuesit po ashtu i quajnë të pavërteta deklarimet e institucioneve se ka vend të lirë në tezgat e Bit Pazarit. Ata thonë se protestat e tyre do të vazhdojnë deri sa shteti t’u sigurojë vend në Bit Pazar.

“Shkurtë, kërkesat tona janë, le të na rregullojnë. Mos të dalin me gënjeshtra me thënë që në pazar ka vend. Skopski Pazari del thotë ka vend, kryetari i Qytetit të Shkupit thotë në pazar ka tezga të lira, kryetari i komunës së Çairit po ashtu thotë ka tezga të lira, por nuk ka askund. Edhe protestat do të me vazhdojnë deri në momentin kur do të zgjidhet problemi”,- theksoi një protestues.

Por, nga komuna e Çairit thonë se pavarësisht protestave të shitësve, ata qëndrojnë pas vendimit të tyre për dislokimin e tyre me qëllim lirimin e hapësirave. Edhe nga Qyteti i Shkupit thonë se nuk do të heqin dorë nga synimet për lirimin e trotuareve nga vendosjet e paligjshme përgjatë bulevardeve.

Ndërkohë, nga dita e sotme filluan punimet për rikonstruimin e bulevardit përgjatë Bit Pazarit. Në këtë pjesë është i paraparë ndërtim i një taksi stacioni, rrugë për këmbësorë, hapësirë e gjelbër dhe stacion ku do të mund të ndalen autobusët që do të bartin turistë për në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. (Ersan Pajaziti, TVM2)