Maqedoni
Konferenca “E ardhmja e Europës”, Dimitrov: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor, në BE
11.05.2018 16:18
Përpjekjet për zgjidhjen e kontestit të emrit Maqedoni – Greqi pritet të vazhdojnë me një takim

Përpjekjet për zgjidhjen e kontestit të emrit Maqedoni – Greqi pritet të vazhdojnë me një takim midis dy ministrave të jashtëm të dy vendeve, Dimitrov dhe Kocias, në margjinat e konferencës në Sunio, afër Athinës, të ministrave të vendeve të Ballkanit.
Do të shqyrtohen dy çështjet kryesore: ndryshimi i kushtetutës dhe forma e përdorimit të emrit. Ministri i jashtë i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në konferencën në Sunio tha se për vendet e Ballkanit Perëndimor e ardhmja është në Europë. Kryesimi i Bullgarisë me BE-në ktheu vëmendjen drejt rajonit dhe kemi mundësinë të korrim sukses që të marrim ftesë për anëtarësim në BE, shtoi Dimitrov.
“Besoj në vit historik për shkak të kryesimit bullgar dhe elementet e ndryshme që kthyen vëmendjen e Europës drejt rajonit dhe se kemi mundësinë që të kemi sukses, por edhe rrezik të biem. Të gjithë e kemi të qartë se anëtarësimi nuk ndodh brenda natës por se nevojiten vite. Duhet të investojmë në energji politike dhe kapital në proces që në njëfarë mënyre do ta kompletojë Europën”,- deklaroi ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Kocias: Zgjerimi në përputhje me reformat
Shefi i Diplomacisë greke, Kocias, në hapjen e takimit insistoi që zgjerimi i BE-së të jetë në përputhje me reformat e institucioneve europiane pas Brexitit.
“Çdo zgjerim i BE-së duhet të rishikohet para se të obligohemi për pranim të anëtareve të reja që do të ndryshonin arkitekturën gjeografike të Europës, veçanërisht do të duhet të kemi kujdes në përbërjen e Komisionit Europian, që në të ardhmen do të ketë mbi 35 vende anëtare. A do të kenë të gjitha komisionerë apo do të vendosim rrotacion, ose ndonjë do të ketë vend të përhershëm? Zgjerimi i BE-së do të duhet të nis nga fqinjësia më e afërt sikurse vendet siç janë: Zvicra, Norvegjia, Andora, San Marino, Lihtenshtajn dhe Monako. Si çështje e dytë dhe më e rëndësishme janë kornizat kohore dhe grupet e mundshme për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor”,- theksoi ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias.
Dimitrov dhe Kocias nesër pritet të kenë takim me ndërmjetësin, Metju Nimic, në Athinë. Për rrjedhën e takimit dy ministrat do të informojnë shefat e qeverive, Zoran Zaevin dhe Aleksis Ciprasin, të cilët më 17 maj do të takohen në margjinat e Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje.
MERAL ISMAILI
