Komandant Hoxha tërhiqet nga angazhimi si këshilltar në qeveri
Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandant Hoxha, tërhiqet nga angazhimi si këshilltar....

Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandant Hoxha, tërhiqet nga angazhimi si këshilltar për siguri dhe radikalizëm i kryeministrit, Zoran Zaev. Ai ka sqaruar se është tërhequr pasi që i kanë penguar reagimet në opinion.
“Nuk e kisha menduar se shqiptarëve ju pengon Komandant Hoxha pranë fëmijëve të tij. Për 10 vite asnjë politikan shqiptar nuk u interesua për mua, për kundër kësaj, më izoluan në Tanushë. Zoran Zaev ishte i vetmi që më zgjati dorën për të më ofruar tek familja ime. Nuk kam pasur marrëveshje me Zaevin për vota dhe për këtë e kam Zotin dëshmitarë”, – e ka sqaruar Xhezair Shaqiri dorëheqjen e tij, duke shtuar se nuk dëshiron të dëmtojë kryeministrin dhe vendin në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së.
ZAEV: SHAQIRI U TËRHOQ PËR TË MIRËN E VENDIT
Kryeministri Zaev, duke konfirmuar dorëheqjen e Xhezair Shaqirit, tha se qëllimi ka qenë që të tregohet një proces inkluziv.
“Jam në kontakt me njeriun i cili paralajmëron tërheqjen e tij për të mirën e vendit, nuk dëshiron të ketë reagime të tilla, e do Republikën e Maqedonisë, por gjithsesi do të paralajmërojë gjatë ditës hapat tonë të ardhshëm”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE: I TURPSHËM ARSYETIMI I ZAEVIT PËR TËRHEQJE
Por, VMRO-DPMNE e vlerësoi të turpshme deklaratën e kryeministrit Shaqiri, se po tërhiqet sepse ia do të mirën vendit. Duke rikujtuar në prononcimet e Hoxhës gjatë fushatave parazgjedhore si kandidat për deputet, nga VMRO thonë se shihet qartë që atij nuk i intereson se a do ekzistojë apo jo Maqedonia.
“Sjellja e tillë e Zoran Zaevit është e turpshme. Të luhet me ndjenjat e qytetarëve është e palejueshme. Zaev dhe të gjithë të tjerët që kanë kryer kontrollet e sigurisë për Komandant Hoxhën dhe kanë dhënë rekomandime që të jetë funksionar i lartë, duhet të merren në përgjegjësi. Po ashtu përgjegjësi duhet të bart edhe Oliver Spasovski, i cili e mbronte Hoxhën dhe nuk shihte asgjë kontestuese në faktin se ai është në listën e zezë të ShBA-ve dhe emri i tij ndërlidhet edhe me vrasjen e një polici dhe ai duhet ta këshillojë kryeministrin Zaev edhe për policinë”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stojkov.
Emërimin e Hoxhës e komentoi edhe Ambasada e ShBA-ve në Shkup, nga e cila potencuan se megjithëse Hoxha ndodhet në listën e zezë amerikane, zyrtarëve të tyre nuk u ndalohet bashkëpunimi me personat që ndodhen në listën e zezë amerikane. (Flutura Latifi, TVM2)
