Infermieret, apel për kushte më të mira që të mos e lëshojnë vendin

11.05.2018 18:39

Infermierët kërkuan kushte më të mira për punë, paga më të larta....

Infermierët kërkuan kushte më të mira për punë, paga më të larta dhe intervenim institucional që të mos ikin specialistët e shëndetësisë nga Maqedonia drejt vendeve të Europës.

Mbi 100 mjekë dhe infermierë duan të largohen nga vendi dhe të angazhohen nëpër spitalet e Gjermanisë dhe kjo gjë nuk duhet të lejohet, u tha në Akademinë solemne me rastin e Javës Ndërkombëtare të Infermierisë, nën organizim të Unionit të Shoqatave të infermiereve mjekësore, teknikëve, obstetrikëve dhe Qendrave stomatologjike "Për ne".

“Do të apelojmë për mosikjen e infermiereve nga Maqedonia, për kushte më të mira të punës, për përmirësimin e koeficientit të të ardhurave personale, do të apelojmë për deficitin e madh me të cilin po përballemi. Nëse në Maqedoni kemi 2 milion banorë ndërsa kemi vetëm 7 mijë infermiere, do të thotë se në 100 mijë qytetarë i bie nga 350 infermiere, i bie se jemi shumë larg standardeve të BE-së”,- u shpreh kryetarja e invermiereve në Maqedoni, Gordana Beshilovska.

Ata gjithashtu kërkuan të kyçen edhe në përmirësimin e procesit arsimor për këtë profesion, me qëllim që të ketë një shërbim profesional në vend. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)