OKB, miratohet plani për mbrojtjen e mjedisit

11.05.2018 18:54

Edhe përkundër mospajtimit të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe disa vendeve të tjera...

Edhe përkundër mospajtimit të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe disa vendeve të tjera, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara bëri hapin e parë drejt krijimit të një Pakti Global për Mjedisin.

Me 142 vota për dhe 5 kundër, mekanizmi 193-anëtarësh miratoi rezolutën për të filluar identifikimin e atyre boshllëqeve në ligjet ndërkombëtare të mjedisit. Rezoluta i kërkon sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, të prodhojë një raport mbi mangësitë mjedisore për seancën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme, duke filluar nga shtatori.

Propozimi kaloi me gjithë kundërshtimin e ShBA-së, Rusisë, Turqisë, Sirisë dhe Filipineve, por u mbështet fuqishëm nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Propozimi mund të çojë në miratimin e një “instrumenti ndërkombëtar” ose pakti të ngjashëm me marrëveshjen globale të klimës të vitit 2015, e cila u miratua nga shumica e anëtarëve të OKB-së.