Irani: Siria ka të drejtë të mbrohet nga Izraeli
Bahram Ghasemi tha se Ministria e Jashtme iraniane....

Bahram Ghasemi tha se Ministria e Jashtme iraniane ka reaguar ndaj sulmeve izraelite në Siri, duke theksuar se Siria ka të drejtën të mbrojë vetën ndaj agresionit që vjen nga Izraeli.
Izraeli ka thënë se ka sulmuar pothuajse të gjithë infrastrukturën ushtarake të Iranit në Siri më 10 maj, pasi forcat iraniane kanë hedhur raketa në territorin që kontrollohet nga Izraeli.
Konfrontimi në mes të Iranit dhe Izraelit erdhi dy ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. “Irani dënon fuqishëm sulmet izraelite në Siri. Heshtja e komunitetit ndërkombëtar inkurajon agresionin izraelit. Siria ka çdo të drejtë që të mbrojë vetën”,- citohet të ketë thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Bahram Ghasemi, për median shtetërore iraniane.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të të “gjitha akteve armiqësore”, me qëllim që të shmanget “një shpërthim i ri” në Lindjen e Mesme.
