Botë
Jerusalem, ShBA hap ambasadën, palestinezët në protesta
14.05.2018 13:50
ShBA hapi sot ambasadën e re të saj në Jerusalem, një lëvizje kjo tejet e pëlqyer nga Izraeli, por e dënuar nga palestinezët që janë mbledhur në protesta masive...

Të paktën 41 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1,800 janë plagosur nga ushtria izraelite pranë kufirit të Gazës, në protestat palestineze që kanë eskaluar në përplasje me forcat izraelite të sigurisë. Protestat kanë nisur disa orë para se të niste ceremonia e hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem.
Viktimat dhe një numër i madh i të plagosurve kanë plagë plumbash të qëlluar nga forcat izraelite, të cilët sipas autoriteteve janë detyruar të përdorin armët e zjarrit për vetëmbrojtje, pasi protestuesit kanë kaluar gardhin e sigurisë.
Vendimi i presidentit Trump, vitin e shkuar, për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, përmbysi dekada të tëra neutraliteti amerikan mbi këtë çështje dhe i vendosi ShBA-të përballë pjesës më të madhe të komunitetit ndërkombëtar. Kjo u reflektua edhe në bojkotin që pjesa më e madhe e diplomatëve evropianë i bën ceremonisë së hapjes së kësaj ambasade.
Vendimi i Trumpit për ta zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi ka zemëruar palestinezët që pretendojnë Jerusalemin lindor si kryeqytet të shtetit të ardhshëm palestinez. Izraeli mori kontrollin e Jerusalemit lindor në luftën e Lindjes së Mesme në 1967 dhe e konsideron atë si kryeqyteti i përjetshëm, i pandashëm.
Në fakt, një ambasadë e vogël, e përkohshme, do të nisë punën nga sot brenda godinës ekzistuese të konsullatës amerikane në Jerusalem. Më pas ajo do të zëvendësohet nga një hapësirë më e madhe ku do të vendosen zyrat e tjera të ambasadës, që do të zhvendosen nga Tel Avivi.
Ceremonia e hapjes koinçidon me përvjetorin e 70 të shtetit të izraelit.
