Rasti “Total”, Llatasi kërkon të dëgjojë “bombat”
Për herë të parë që nga ngritja e rastit “Total” nga PPS....

Për herë të parë që nga ngritja e rastit “Total” nga PPS, në bankën e të akuzuarve u ul gazetari, Dragan Pavlloviq – Llatas.
Avokatja mbrojtëse, Snezhana Saviq, kërkoi t’u dorëzohen transkriptet e 14 të të ashtuquajturave “bomba”, të cilat Prokuroria Speciale Publike po i përdor si dëshmi kundër tij në këtë rast. Sipas saj, seanca nuk mund të fillojë pa u shqyrtuar hollësisht përmbajtja e materialeve të përgjuara.
Por, prokurorja, Elizabeta Josifoska, refuzoi kërkesën e mbrojtjes, me arsyetimin se i akuzuari ka pasur mundësi gjatë gjithë kësaj periudhe që t’i dëgjojë këto materiale. “Që pas përfundimit të hetimit, i akuzuari dhe avokati janë ftuar që t’i dëgjojnë bisedat e përgjuara, por nuk e kanë bërë këtë”,- theksoi prokurorja Josifovska. Gjykatësja, Sllavica Naumovska, miratoi kërkesën e mbrojtjes dhe iu ndau transkriptet e bisedave të përgjuara.
Rasti “Total”, i hapur nga Specialja, ka si të dyshuar kryesor drejtuesin dhe pronarin e agjencive për marketing “Total”, “Media Maks” dhe “Total Media Center”, Dragan Pavlloviq Llatas, që akuzohet se ka fshehur përmes dëshmive të rreme tatimin prej 121.414 eurove.
