Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut: Komuniteti bektashian regjistrohet de jure

14.05.2018 15:25

Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare në Strasburg....

Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare në Strasburg, komuniteti bektashian në Maqedoni fitoi të drejtën për t’u regjistruar si komunitet më vete. Besimi bektashian ka 800 vite që funksionon në këto troje dhe është shembull i shkëlqyer se si një besim gjeneron paqe dhe mirësi dhe shembull se si çdo problem zgjidhet përmes tolerancës, vlerësojnë udhëheqësit e këtij komuniteti.

“Bektashizmi është urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimet dhe do jetë faktor i paqes, dashurisë dhe mirësisë, edhe ne dinim t’i kundërvihemi komunitetit që pushtoi teqenë, por zgjodhëm rrugën e demokracisë dhe paqes, edhe pse ata gabuan tjetërkush, nuk do t’i gjykoj, puna jonë është të ketë paqe dhe mirësi mes njerëzve”,- tha kryegjyshi botëror, Edmond Brahimaj.

“Për ne ky regjistrim nënkupton përgjegjësi të re e cila në vazhdën e punëve tona si komunitet bëhet me drejtësi, sepse ligji është mbi të gjitha dhe ne respektuam ligjin edhe kur ishte në dëm për ne, por në fund ligji ndërhyri fuqishëm kundër interesave të disa grupeve politike, fetare apo ekonomike”,- theksoi kryetari i komunitetit bektashian në Maqedoni, Arben Sulejmani.

Kontributi i komunitetit bektashian për çështjen kombëtare, por edhe për kulturën dhe traditën shqiptare, ka qenë i vazhdueshëm, vlerëson drejtori i ITShKShM-së, Skender Asani.

“Kemi pasur komunikim të ndërsjellë, nuk ka munguar asnjëherë ndihma e ITShKSHM-së për të nxjerrë në pah kontributin e komunitetit për historinë, kulturën, traditën shqiptare dhe këtë do e bëjmë edhe në të ardhmen”,- deklaroi drejtori i ITShKShM-së, Skender Asani.

Kryegjyshi botëror, Edmond Brahimaj, vitin e kaluar është dekoruar në Kombet e Bashkuara për kontributin e tij në sferën humanitare.

“Shenjtëria e tij, Baba Mondi, është dekoruar me çmim në Kombet e Bashkuara vitin që lamë pas, për paqe globale në botë, për punën që bën dhe për promovimin e humanitetit, respektit ndërnjerëzor dhe paqes”,- u shpreh princesha, Maria Amor. 

Bektashizmi do mbetet në rreshtat e parë të barrikadës ndaj çdo lloj ekstremizmi fetar, theksuan drejtuesit e këtij komuniteti. (Flutura Latifi, TVM2)