Pikat kufitare Tabanovcë dhe Bogorodicë, protokoll të ri qarkullimi për mallrat

14.05.2018 16:03

Në pikat kufitare Tabanovcë dhe Bogorodicë, hyri në fuqi protokolli i ri...

Në pikat kufitare Tabanovcë dhe Bogorodicë, hyri në fuqi protokolli i ri i cili u mundëson lëvizje 24 orëshe në korsi të veçantë të automjeteve që eksportojnë mallra prioritare.

Me protokollin e ri për qarkullim më të shpejtë të mallrave, të nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë Doganore, Gjoko Tanasoski, dhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Lazo Velkovski, pritet eksportim më i shpejtë i mallrave të gjalla, të freskëta dhe mallrave të rrezikshme. Sipas tyre, do të ulet dyfish pritja në kufi dhe e njëjta procedurë parashikohet të kryhet maksimum për një orë e gjysmë.

“Kjo do të mundësojë qarkullim të shpejtë dhe të sigurt të mallrave të gjalla, mallit të freskët, materieve të rrezikshme, në sistemin e ri kompjuterik, si dhe kalimin e kamionëve të zbrazët në pikat kufitare Tabanovcë dhe Bogorodicë”,- tha drejtori i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasovski.

“Detyrimi ynë do të jetë që edhe pas hyrjes, së bashku me shërbimet e doganave, të mundësohet lëvizje prioritare, pra t’u mundësohet qarkullim në një korsi të veçantë nga linja e kufirit deri te terminalet doganore automjeteve që merren me import - eksport”,- deklaroi drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Lazo Velkovski

Sipas ministrit të bujqësisë, Ljupço Nikolovskit, përfitime nga protokolli do të kenë eksportuesit e produkteve ushqimore. Nikollovski theksoi se po zbatohet një politikë e re për të rritur konkurrencën e eksportuesve vendas në tregun ndërkombëtar.

“Nuk ka kurrfarë pengese që me përpjekje shtesë dhe intervenime të vetë institucioneve të mundësojmë rrjedhë 24-orëshe të mallrave, pa pasur nevojë të ketë kontakte apo komunikime, por të jetë e zgjidhur në mënyrë sistematike dhe të gjithë eksportuesit ta dinë se kjo çështje është e rregulluar në mënyrë sistematike dhe se kanë prioritet”,- u shpreh ministri i bujqësisë, Ljupço Nikolovski.

Protokolli i mëparshëm u mundësonte përparësi automjeteve me mallra prioritare prej orës 21:00 deri në orën 01:00. (Ersan Pajaziti, TVM2)