Maqedoni

Debat “Ligji për familje”: Kujdesi për fëmijën i barabartë pas divorcit

14.05.2018 16:39

Ligji për familje do të duhet të ndryshojë dhe përgjegjësinë për fëmijën pas divorcit ta ndajnë dy prindërit në mënyrë të barabartë...

Ligji për familje do të duhet të ndryshojë dhe përgjegjësinë për fëmijën pas divorcit ta ndajnë dy prindërit në mënyrë të barabartë, e jo sikurse tani që njëri prind të ketë ekskluzivitetin për ta pasur fëmijën, ndërkaq prindi tjetër vetëm të drejtën e vizitorit. Biljana Viçeviç, një grua e divorcuar, nëpërmjet rrëfimit të saj tregon se ligji është diskriminues, pasi që ajo mund ta shohë vajzën e saj vetëm 4 herë brenda muajit.
 
“Unë si nënë, paramendoni kam vetëm katër ditë në muaj për ta parë vajzën. Si do të mundem unë që të vendos komunikimin me të, veçanërisht në këtë periudhë kur vajza ime ka 12 vjet dhe vetëm një prind nuk mund t’i përgjigjet pyetjeve, nevojave dhe kërkesave të saj”,- tha pedagogia, Biljana Vinçevic.
 
Nga Iniciativa qytetare për kujdes të përbashkët të fëmijës pas divorcit, si dhe nga Ambasada e fëmijëve “Megjashi”, thonë se ligji do të duhet të lejojë që dy prindërit njësoj të kujdesen për fëmijën, ndërkaq qendra sociale të zbatojë në praktikë vendimin e marrë.
 
“Do të duhet të hiqet neni 78, i cili parashikon që vetëm një prind të mbetet përgjegjës për kujdesin dhe edukimin e fëmijës pas divorcit dhe këtu të vendoset neni ku të dy prindërit mbeten njësoj përgjegjës. Në disa shtete parashikohet që fëmija me prindin që nuk jeton do të kalojë 120 deri në 180 ditë në vit”,- tha Naum Ribarski nga Iniciativa qytetare për kujdes të përbashkët të fëmijës.  
“Besojmë se është koha që të jepet kjo mundësi në Maqedoni. Qendra për punë sociale do të duhet qartë tua përcaktojë kompetencat dhe të detektojë nevojat individuale të çdo rasti”,- theksoi përfaqësuesja e “Megjashit”, Jana Dukovska.
 
Tek Avokati i Popullit janë ankuar vetë fëmijët. Nga ky institucion thonë se me ligjin e ri do të duhet të merret parasysh edhe mendimi i fëmijës.
 
“Në praktikë, qendrat për punë sociale nuk kanë mekanizma efektivë se si t’i zbatojnë vendimet e tyre. Konventa për të drejtat e fëmijëve thotë se organet në marrjen e vendimit do të duhet të pyesin dhe ta dëgjojë mendimin e fëmijës dhe pa diskriminim të vendos për atë se çka është më e mirë për të”,- u shpreh përfaqësuesja e Avokatit të Popullit, Raska Bajramovska.
 
Në debatin e sotëm publik në Komisionin kuvendor për politikë sociale rreth ligjit në fjalë u tha se e nevojshme është të formohen edhe qendra këshillimi, shpenzimet për fëmijët të ndahen proporcionalisht, ndërkaq shteti të formojë një fond që të mbulojë shpenzimet e njërit prind nëse ai nuk është në gjendje të mbulojë shpenzimet për fëmijën e tij.
 
MERAL ISMAILI